Ekonomi

Mbahet Konferenca për Filantropi, hulumtimi: sektori civil dhe kompanitë kanë bashkëpunim të dobët

11.06.2015 16:34

Tetëdhjetë e pesë për qind të kompanive vendore deri më tani nuk kanë pasur kurrfarë bashkëpunimi me sektorin civil...

Tetëdhjetë e pesë për qind të kompanive vendore deri më tani nuk kanë pasur kurrfarë bashkëpunimi me sektorin civil, ndërsa vetëm 10 për qind prej tyre morën kërkesë për donacion nga ndonjë organizatë qytetare.
 
Këtë e tregojnë rezultatet nga hulumtimi i bashkëpunimit ndërmjet organizatave qytetare dhe sektorit privat, të prezantuara në kuadër të Konferencës së sotme për Filantropi. 
 
“Duket sikur bashkëpunimi ndërmjet sektorit qytetar dhe atij të  biznesit në vend më tepër është përjashtim se sa rregull, pothuajse dy të tretat e organizatave qytetare nuk e shohin sektorin privat si burim të resurseve, edhe pse madje 80 për qind e atyre që kanë kërkuar donacione nga kompanitë kanë marrë” - deklaroi kreatori i hulumtimit, Risto Karjakov.
 
“Në Maqedoni ekziston potencial i madh i pashfrytëzuar për dhurim në sektorin e biznesit, i cili do të mund të vihej në funksion nga ana e organizatave qytetare në avancimin e mirëqenies së njerëzve dhe arritjen e së mirës së përgjithshme. 50 për qind e bizneseve në vendin tonë kanë dhënë ndonjë donacion gjatë vitit të kaluar, ndërsa shuma e përgjithshme për donacione dhe sponsorizime për realizim të qëllimeve të interesit publik në vitin 2013 tejkaloi 10,5 milionë euro” - tha drejtoresha ekzekutive e Shoqatës "Konekt", Nikica Kusinikova.
 
Pjesa më e madhe e donacioneve nga kompanitë dedikohen për ndihmë gjatë mjekimit edhe pse nuk është e vogël mbështetja që biznesi e ndan për sportin (15,9 për qind), si dhe për ndihmë për të varfrit (11,9 për qind) dhe përballjen me pasojat nga fatkeqësitë humanitare (10,7 për qind). 
 
Konferenca për Filantropi u mbajt në kuadër të projektit për krijim të mjedisit mundësues për qëndrueshmëri financiare të organizatave qytetare, financuar nga Bashkimi Evropian.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU