Rajon

Kosovë, vazhdon numërimi i votave me postë

14.06.2026 14:14

KQZK ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdojnë aktivitetet lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdojnë aktivitetet lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026. Sipas të dhënave të publikuara gjatë ditës së sotme janë numëruar gjithsej 36 kuti votimi, ndërsa janë regjistruar dhe përgatitur 156 kuti votimi që do të përfshihen në platformën e rezultateve me vazhdimin e procesit të vlerësimit.
 
“Procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga diaspora është dinamik dhe zhvillohet paralelisht me përditësimin e rezultateve, me qëllim sigurimin e transparencës dhe informimit në kohë reale të publikut. Votimi përmes postës është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar në këtë mënyrë. Ndërkohë, në qendër të procesit të vlerësimit të pakove të ardhura nga diaspora, deri në fund të ditës së shtunë, më 13 qershor 2026, janë trajtuar gjithsej 75,590 pako. Prej tyre, 72,746 janë aprovuar, ndërsa 2,844 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit të fletëvotimeve me postë është mungesa e dëftesës së regjistrimit, e cila është evidentuar në 2,571 raste. Kjo dëftesë përmban të dhëna unike të votuesit dhe lëshohet nga KQZ gjatë procesit të regjistrimit.”, thonë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovës. 
 
Sipas KQZ, përveç kësaj, janë evidentuar edhe arsye të tjera të refuzimit, përfshirë raste kur në një pako janë gjetur më shumë se një fletëvotim ose më shumë se një person (177 raste), kur votuesi ka dërguar pakon nga shteti tjetër nga ai ku ishte regjistruar (21 raste), kur në pako është gjetur vetëm dëftesa pa fletëvotim (27 raste), si dhe raste me mungesë të pullës apo vulës postare (5 raste). KQZ ka bërë të ditur se tërheqja e pakove me fletëvotime nga 23 kutitë postare në 22 shtete të ndryshme, përfshirë edhe atë në Kosovë, është përmbyllur më 8 qershor 2026. Nga ky proces janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat aktualisht janë në faza të ndryshme të vlerësimit dhe përpunimit.
 
FITIM KRYEZIU