Marta Kos vizitë në Shkup, Mickoski: Pjesë e turneut të saj rajonal
14.06.2026 15:34
Kos do të qëndrojë në vend në kuadër të turneut të saj të rregullt në rajon....

Eurokomisionerja për Fqinjësi të Mirë dhe Zgjerim, Marta Kos, do të qëndrojë në vend në kuadër të turneut të saj të rregullt në rajon. Sipas kryeministri Hristijan Mickoski bëhet fjalë për një nga vizitat e rregullta që zyrtarët evropianë realizojnë në rajon dhe vend. Megjithatë, ai tha se e shqetësojnë pretendimet e opozitës, e cila, sipas tij, çdo ditë manipulon me pohimet se kinse vendi është i izoluar. Mickoski i cilësoi këto akuza si të pavërteta, duke theksuar se vetëm për më pak se dy muaj, janë realizuar një numër i madh vizitash dhe takimesh të nivelit të lartë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
“Sipas opozitës, Qeveria paska qenë e izoluar. Por si një qeveri e tillë e izoluar, unë brenda dy muajve realizova takime dypalëshe me presidentin e Turqisë, me presidentin e Francës dhe me kancelarin e Gjermanisë. Në vizitë dypalëshe ishte edhe kryeministri i Kroacisë, ndërsa unë zhvillova një vizitë dypalëshe te kancelari i Austrisë. Gjithashtu, në Shkup ishte edhe presidenti i Këshillit Evropian. E gjithë kjo ndodhi vetëm brenda dy muajve. Tani do të vijë edhe komisionerja për fqinjësi të mirë dhe zgjerim, Marta Kos, në kuadër të vizitës së saj të rregullt në rajon.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Forumi i Biznesit në Turqi, Mickoski: Kërkojmë më shumë investime dhe fabrika
Përveç kontakteve politike dhe diplomatike, Mickoski veçoi edhe aktivitetet e Qeverisë në planin ekonomik. Si shembull ai përmendi pjesëmarrjen e delegacionit qeveritar në Forumin e Biznesit në Turqi, ku investitorëve turq u janë prezantuar mundësitë për investime në vend. Sipas tij, fokusi i Qeverisë mbetet tërheqja e investimeve që do të rrisin prodhimin, eksportin dhe punësimin në vend.
“Ne u ofruam të njëjtën gjë që e ofrojmë kudo. Të luftojmë për një fabrikë më shumë, e cila do të eksportojë, do ta rrisë prodhimin e brendshëm bruto dhe do të sigurojë vende të reja pune me paga të mira. Ne mund të ofrojmë fuqi punëtore të kualifikuar, njerëz me dije dhe përvojë, dhe nuk dalim më me mesazhin e fuqisë së lirë punëtore, sepse ky është një stereotip i së kaluarës. Ne ofrojmë potencial punëtor që di dhe mund të kontribuojë në rritjen e përbashkët të ekonomisë, si të prodhimit të brendshëm bruto, ashtu edhe të biznesit.”, tha Mickoski.
Mesazhet për investime dhe zhvillim ekonomik Mickoski i përcolli gjatë përurimit të Shtëpisë së re të Pleqve në Komunën e Ilindenit, një investim privat që sipas tij dëshmon se vendi po bëhet gjithnjë e më tërheqës për investime private. Ai njoftoi se në periudhën e ardhshme pritet hapja edhe e dy shtëpive të tjera për të moshuarit.
REXHEP QAMILI
