Maqedoni
Aksion policor në Vaksincë, policia ka kapur 128 emigrantë ilegalë
11.06.2015 16:53
128 emigrantë janë kapur gjatë aksionit të mëngjesit të sotëm të policisë në fshatin Vaksincë të Likovës, ndërsa ndaj 4 banorëve të Vaksincës...

128 emigrantë janë kapur gjatë aksionit të mëngjesit të sotëm të policisë në fshatin Vaksincë të Likovës, ndërsa ndaj 4 banorëve të Vaksincës, të cilët janë pronarë të shtëpive ku janë strehuar emigrantët, policia ka ngritur procedura për veprën “trafikim emigrantësh”.
Policia po ashtu informoi se ka kapur edhe një person 68 vjeçar, i cili është kërkuar me fletëarrest për vuajtjen e dënimit me burg për vrasje.
Gjatë aksionit, policia ka konfiskuar edhe armë, municion dhe mjete tjera, informuan nga ana e Ministrisë së Brendshme.
“Emigrantët ilegalë janë gjetur në 5 objekte nga 10 objektet e bastisura. Sipas të dhënave të deritanishme, pronarët e objekteve i kanë dhënë me qira objektet në shumë prej 1500 euro në muaj, varësisht nga ajo se për çfarë objekti bëhet fjalë, apo nëse vetë i kanë pranuar emigrantët, iu kanë marrë nga 5 deri në 10 euro vetëm për strehim, pa iu dhënë krevat. MPB-ja do të ngrejë padi penale për vepra të kryera penale "trafikim me emigrantë" ndaj katër personave nga fshati Vaksincë të moshës prej 32 deri në 61 vjeç, të cilët figurojnë si pronarë të objekteve në të cilat janë zbuluar emigrantët”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, gjithashtu informoi se nga bisedat e realizuara me emigrantët është theksuar se të gjithë kanë ardhur me vetdëshirë dhe në Maqedoni kanë ardhur nga Greqia.
Asnjëri prej tyre nuk ka deklaruar se ka qenë viktimë e dhunës, kërcënimit ose shantazhit sa i përket qëndrimit. Emigrantët janë dërguar nëpër qendrat e azilantëve.
ERSAN PAJAZITI
