Rikonstruimi i Qeverisë, Mickoski: Procesi do nis nga mesi i javës

14.06.2026 15:34

Nga e enjtja pritet të nisin zyrtarisht bisedimet mes partnerëve të koalicionit qeveritar për rikonstruimin e Qeverisë....

Nga e enjtja pritet të nisin zyrtarisht bisedimet mes partnerëve të koalicionit qeveritar për rikonstruimin e Qeverisë. Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se konsultimet do të fillojnë menjëherë pas shënimit të përvjetorit të themelimit të VMRO-DPMNE-së, që do të mbahet më 17 qershor në Strumicë. Sipas tij, në ditët në vijim do të hapen diskutimet për përbërjen e re të ekzekutivit dhe hapat e mëtejmë të koalicionit qeverisës.
 
“Javën e ardhshme, pas ditëlindjes, më 17 qershor në Strumicë, menjëherë të nesërmen do të fillojmë bisedimet me partnerët e koalicionit qeveritar lidhur me rikonstruimin e Qeverisë.”, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Zgjedhjet e parakohshme, spekulim, Mickoski: Zgjedhje në pranverën e vitit 2028
 
Por a do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas këtij rikonstruimi, mbetet një pyetje që ende nuk ka një përgjigje të qartë. Kryeministri Mickoski thotë se është logjike që, me hyrjen në gjysmën e dytë të mandatit, të hapet debati edhe për zgjedhje të parakohshme. Ai thekson se partia në pushtet është e gatshme edhe për një sfidë të tillë, megjithëse qëndrimi i tij dhe i VMRO-DPMNE-së mbetet që të mos ketë zgjedhje të parakohshme, por të priten zgjedhjet e rregullta parlamentare.
 
“Do ta përsëris qëndrimin tonë se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme. Ne kemi marrë mandat nga qytetarët për katër vjet dhe dëshirojmë të shkojmë në zgjedhje të rregullta parlamentare, të cilat do të mbahen në pranverën e vitit 2028. Por, nëse sfidohemi, sigurisht që duhet të jemi të përgatitur. Në rastin tonë kemi një opozitë me katër ose pesë persona që unë do t’i quaja kamikazë politikë, të cilët dalin në publik, fyejnë, përhapin të pavërteta dhe mendojnë se, nëse shpërndajnë pendë në ajër, një pjesë e tyre do të mbeten të pambledhura dhe dikush do t’u besojë. Ja ku është mundësia për ta treguar. Hajde të shohim, nëse jeni kaq të fortë, të shohim se çfarë do të ndodhë.”, tha Mickoski.
 
Përndryshe, ky është rikonstruimi i parë i kësaj qeverie. I pyetur më herët për këtë çështje, Mickoski kishte deklaruar se në fazën fillestare të bisedimeve me partnerët e koalicionit do të rishqyrtohet vizioni i përbashkët për funksionimin e qeverisë. Nëse qëndrimet dhe prioritetet e partnerëve përputhen, atëherë do të hapen bisedimet për zgjidhjet kadrovike dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.
 
REXHEP QAMILI