Pesë të arrestuar për krime lufte në Reçak, dyshohet se ishin pjesë e njësive speciale serbe
14.06.2026 15:32
Pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës...

Pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”.
Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak.
Gjatë operacionit janë realizuar urdhër-kontrolle në disa lokacione, ndërsa një person i gjashtë i dyshuar nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe nuk është arrestuar.
Në një konferencë për media, Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb dhe ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Katër prej tyre janë pensionistë, ndërsa njëri vazhdon të punojë në shërbimet postare në Serbi.
Sipas Policisë së Kosovës, njëri nga të dyshuarit është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Dheu i Bardhë në orët e para të mëngjesit, ndërsa katër të tjerët në lokacione të ndryshme në Kosovë.
Gjatë kontrolleve, autoritetet thanë se kanë sekuestruar dokumente, uniforma, pajisje policore dhe materiale të tjera që konsiderohen relevante për hetimin.
