Maqedoni

Dhuna në familje, Ramadani: Mbështetja mbetet e pamjaftueshme

14.06.2026 15:51

Kohëve të fundit është vërejtur një rritje e vetëdijes së qytetarëve për paraqitjen e dhunës në familje...

Kohëve të fundit është vërejtur një rritje e vetëdijes së qytetarëve për paraqitjen e dhunës në familje, veçanërisht pas rasteve tragjike, megjithatë mbështetja për viktimat mbetet sfidë. Kështu vlerëson psikologja Sumeja Ramadani sipas së cilës përveç dhunës fizike, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet dhunës psikologjike, e cila shpesh është më e vështirë për t’u identifikuar, por lë pasoja të thella tek viktimat. Ajo thekson se ndjenja e vazhdueshme e fajit, nënçmimit dhe pavlerësimit mund të jenë shenja të qarta të kësaj forme dhune. Forcimi i mbështetjes psikologjike, sociale dhe ekonomike për personat që përjetojnë dhunë është kyç për luftimin e kësaj dukurie.
 
“Nga rasti tragjik, i cili ndodhi denoncimet në polici janë duke u rritur shumë. Unë kam përvojë si psikologe e dhunës në familje më shumë se tre vite edhe e shoh që edhe organizatat joqeveritare mirëpo edhe shteti janë shumë të pamjaftueshme në mbrojtje dhe në ndihmë të viktimave. Po ka fonde të shumta, të cilat përdoren për t'i stimuluar viktimat që ta denoncojnë dhunën mirëpo pas dhunës ekziston një pikëpyetje shumë e madhe. Me sinqeritetin më të madh i kisha apeluar të gjitha gratë, të gjithë njerëzit të cilët përjetojnë dalëngadalë të rikthehen tek vetja dhe dalëngadalë t’i forcojnë kapacitetet personale qoftë duke u pavarësuar ekonomikisht, qoftë duke punuar me vetëbesimin, vetëvlerësimin e tyre që mos të lejojnë që kthetrat e dhunës të trashëgohen edhe në brezin tjetër.”, theksoi psikologja Sumeja Ramadani.
 
Njëkohësisht, Ramadani kujton se dhuna është sjellje e mësuar dhe se fëmijët që rriten në mjedise të dhunshme rrezikojnë ta përsërisin atë model në të ardhmen. Për këtë arsye, njohja, denoncimi dhe parandalimi i hershëm i dhunës mbeten thelbësore për mbrojtjen e viktimave dhe thyerjen e ciklit të dhunës ndër breza.
 
“Dhuna nuk është një ndjenjë, një instinkt apo vepër me të cilën lindemi është një akt të cilin ne e mësojmë. Mësimet të cilat i marrim në fëmijëri janë mësimet më të fuqishme, të cilat nuk mundemi t'i harrojmë dhe i implementojmë gjatë gjithë jetës. Kur fëmijët i shohin prindërit duke qenë ushtrues apo viktimë e dhunës ata padyshim se në të ardhmen ose do të atraksionojnë një partner, i cili do të dhunon ose do ta dhunojnë partnerin e vet. Për këtë arsye ekziston një rrezik shumë i madh, të gjithë prindërit duhet të jenë shumë të vetëdijshëm që kaosi dhe konflikti i tyre është determinant për cilësinë e jetës së fëmijëve të tyre. Të paktën fëmijët të mundohemi t'i amnesotojmë dhe t'i ruajmë nga konfliktet tona bashkëshortore.”, tha Ramadani.
 
MPB: Rritet raportimi i rasteve
 
Të dhënat e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë rritje të numrit të personave që marrin guximin ta paraqesin dhunën në institucionet kompetente. Muaji maj i vitit 2026 shënon 70,5% më shumë vepra penale të lidhura me dhunën në familje krahasuar me një vit më parë. 
 
“Sipas të dhënave për muajin maj 2026, janë raportuar gjithsej 191 vepra penale të dhunës në familje, që paraqet rritje prej 70,5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025. Pjesa më e madhe e veprave penale kanë të bëjnë me “lëndim trupor” (130 raste) dhe “rrezikim të sigurisë” (52 raste). Ndër veprat më të rënda, gjatë kësaj periudhe është regjistruar një vrasje në rajonin e SPB Manastir dhe dy raste të lëndimeve të rënda trupore. Numri më i madh i rasteve të dhunës në familje është raportuar në territorin e SPB Shkup, me 62 raste.”, thonë nga MPB.
 
Gjatë muajit të kaluar, MPB-ja ka paraqitur gjithsej 137 kallëzime penale, që paraqet rritje prej 71,3 për qind në krahasim me majin e vitit të kaluar. Masa të ndjekjes penale janë ndërmarrë ndaj 144 autorëve, ndërsa si viktima janë evidentuar 143 persona. Masë paraburgimi është caktuar për 15 autorë, ndërsa ndaj 48 personave janë shqiptuar masa kujdesi. 
 
FLORIJE KAMBEI