Maqedoni

Analistët: bisedimet nuk kanë dështuar, të shtohet presioni ndërkombëtar

11.06.2015 17:03

Pavarësisht perceptimit se bisedimet e një dite më parë në Bruksel kanë dështuar, procesi po vazhdon dhe ndërsa çështjet e kontestueshme po reduktohen...

Analistët politik vlerësojnë se çështja për të cilën palët ende nuk po bien dakord është modaliteti për qeverinë e tranzicionit.
 
“Përkundër faktit që takimi u shpall si i dështuar, ai jep një indikacion se palët kanë biseduar për çështje thelbësore, e ajo është qeveria e tranzicionit. Tani janë në pyetje modalitetet se si do të duket ato, cili do të jetë diskursi, çfarë mandati do të ketë dhe të gjitha këto flasin se palët negociuse janë në frymën e kësaj marrëveshje që u arrit në Shkup”- deklaroi analisti, Naser Zyberi.
 
“Pritshmëria ishte që nesër të mbyllet i gjithë ai proces i filluar me marrëveshjen e dy qershorit. Ajo nuk ndodhi, por vetë fakti që ka mbërri në kulminacion d.m.th. kemi kontest për një ose dy pika dhe është shpresëdhënës se do të arrihet një kompromis”- tha analisti, Albert Musliu.
 
Sipas analistëve, kompromisi mund të arrihej më shpejtë nëse në tavolinën e bisedimeve raporti mes palëve ishte i barabartë.
 
"Fakti që krerët e partive shqiptare janë në anën e VMRO-DPMNE-së i japin komoditet Gruevskit”- thotë Zyberi.   
 
“Do të duhet një afat për t’u kuptuar tërësisht realiteti dhe pozicioni i këtyre dy subjekteve, të cilat në mënyrë direkte apo indirekte çojnë ujë në mullirin e VMRO DPMNE-së, që ia zgjat jetën një qeverie të tillë”- theksoi analisti, Naser Zyberi.
 
Stërzgjatja e bisedimeve për tejkalimin e krizës politike, sidomos dështimi i mundshëm i marrëveshjes së dy qershorit, mund të thellojë krizën edhe më shumë, thekson Musliu. 
 
“Gjithsesi se nëse ajo marrëveshje nuk arrihet, atëherë situata do të tensionohet edhe më shumë. Lideri i opozitës paralajmëroi se do të vazhdojë me “bombat” politike, kjo hap mundësinë që edhe grupe të tjera të pakënaqura me “kontenstin” e bisedave t’i bashkëngjiten të gjithë kësaj situate politike, ashtu që tensionet do të rriten”- u shpreh analisti, Albert Musliu.
 
Analistët janë të mendimit se ndërkombëtarët duhet të shtojnë trysninë mbi palët që të bien dakord për modalitetin më të arsyeshëm, që do të siguronte funksionimin e shtetit ligjor dhe zgjedhje korrekte dhe demokratike.
 
Sipas tyre, ndërhyrja e ShBA-ve për tejkalimin e krizës duket e paevitueshme.       
 
SHPËTIM NUREDINI