Botë

Rama: Sazani mbetet pronë e shtetit shqiptar

15.06.2026 12:15

Rama ka reaguar ndaj debateve dhe akuzave që kanë shoqëruar projektet e investimeve në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj debateve dhe akuzave që kanë shoqëruar projektet e investimeve në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se asnjë pjesë e territorit shqiptar nuk është nxjerrë në shitje dhe se të gjitha procedurat po zhvillohen në përputhje me ligjin.
 
Rama ka sqaruar  se Ishulli i Sazanit mbetet pronë e shtetit shqiptar dhe nuk është menduar asnjëherë për shitje. Sipas tij, modeli i parashikuar për zhvillimin e ishullit është ai i partneritetit me investitorët, ku shteti do të mbajë pjesëmarrje në projekt, ndërsa negociatat vijojnë dhe ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare. Lidhur me projektin në Zvërnec, kryeministri theksoi se toka ku parashikohet investimi është pronë private e regjistruar prej vitesh në kadastër dhe se transaksionet e kryera janë marrëdhënie mes subjekteve private. Rama bëri të ditur se projekti në Zvërnec nuk ka marrë ende leje ndërtimi dhe se ndodhet në fazën e përgatitjes së dokumentacionit teknik.