Maqedoni

Bashkëpunim mes dy nga disa parti të vogla, Sela dhe Memedi bashkojnë forcat

11.06.2015 17:13

RDK dhe Lëvizja për Reforma në PDSh zyrtarizuan bashkimin e tyre. Këtë e bënë të ditur krerët e dy partive, Vesel Memedi dhe Ziadin Sela...

RDK dhe Lëvizja për Reforma në PDSh zyrtarizuan bashkimin e tyre. Këtë e bënë të ditur krerët e dy partive, Vesel Memedi dhe Ziadin Sela, sipas të cilëve shqiptarët në këta momente të vështira kërkojnë bashkimin në një zë të vetëm të forcave, që do të sjellin ndryshimin e madh.
 
Memedi dhe Sela ftojnë për bashkëpunim edhe subjektet tjera politike dhe sektorin civil.
 
“Sot edhe një herë e dëshmojmë publikisht në prezencën e kësaj mase të mediave në përgjithësi që oferta është e hapur për të gjitha subjektet e ndryshme opozitare shqiptare që të bashkohemi, të jemi bashkë për eliminimin e kësaj të keqe që e ka kapluar vendin në përgjithësi”- deklaroi Vesel Memdi nga RDK.
 
“Maqedonia të shpallet shtet bi-nacional, në të cilin në mënyrë të barabartë do të respektohet gjuha shqipe edhe maqedonishtja, ndarja e buxhetit jo të drejtë, siç thonë disa liderë politikë, sepse kjo fer do të varej nga dëshira e mirë ose e keqe e një kryeministri të ardhshëm për ta ndarë fer buxhetin, por ndarja e buxhetit e rregulluar me ligj, me prerje lokale që është konform politikave moderne për një decentralizim të mirëfilltë të pushtetit”- tha Ziadin Sela nga LR PDSh.
 
Marrëveshja për bashkëpunim mes këtyre partive përfshin daljen me lista të përbashkëta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, bashkimin rreth një platforme të përbashkët, nga e cila do të dalin kërkesat e përbashkëta si zgjidhje e çështjes shqiptare në Maqedoni dhe pika e tretë është që nëse marrin legjitimitetin nga populli shqiptar në zgjedhje të drejta dhe demokratike, nuk do të bëhen pjesë e asnjë qeverie në qoftë se në programin e asaj qeverie nuk parashihen ndryshimet kushtetuese që shqiptarët dhe maqedonasit t’i bëjë të barabartë në aspekt kombëtar.
 
GYLTENE SINANI