Rajon

Gërvalla: Certifikimi i rezultatit, pastaj diskutimi për koalicion

15.06.2026 13:57

Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj do të presin certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit...

Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj do të presin certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, para se të diskutojnë për bashkëpunime politike dhe mundësitë për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit. Kështu deklaroi kryetarja e partisë Guxo, që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Donika Gërvalla, duke u shprehur optimiste se Kosova nuk do të përballet sërish me bllokada institucionale dhe se mandati i dhënë nga qytetarët duhet të respektohet. 
 
“Kur t’i kemi rezultatet e certifikuara do të shohim se cilat janë mundësitë që na ofrohen. Unë shumë shpresoj dhe jam shumë optimiste që nuk do të ballafaqohemi edhe njëherë me bllokada të pakuptimta edhe me bllokim të institucioneve të shtetit, por siç e keni parë edhe para zgjedhjeve të fundit nuk ka qenë në dorën tonë sepse ofertat kanë qenë më shumë se bujare, mirëpo janë refuzuar. Shpresoj që mandati i fuqishëm që e jep vota e qytetarit këtë herë do të respektohet deri në fund.”, - theksoi kryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla.
 
E pyetur nëse kanë vija të kuqe ndaj ndonjë partie apo me cilat subjekte mund të bashkëpunojnë për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes, Gërvalla tha se aktualisht nuk ka diskutime për koalicione, pasi po presin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
 
GYLTENE SINANI