Maqedoni
Përplasje për subvencionet, Mickoski: Subvencionet po paguhen para afatit
15.06.2026 14:56
Gjatë këtyre dy ditëve do të paguhen subvencionet prej dy miliardë denarësh për duhanprodhuesit...

Gjatë këtyre dy ditëve do të paguhen subvencionet prej dy miliardë denarësh për duhanprodhuesit, edhepse afati për pagesë është deri më 30 qershor, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski. Ai vuri në dukje se në vitin 2024, kur morën pushtetin, paguanin subvencione të mbetura që nga viti 2021 dhe se tani, për më pak se dy vjet, po paguhen subvencionet rrjedhëse për vitin 2025.
"Nëse mblidhet numri i përgjithshëm i subvensioneve të paguara nga Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së në periudhën 2021, 2022 dhe 2023 si pagesa direkte dhe mbështetje për Programin e Zhvillimit Rural, atëherë do të arrijmë në një shumë totale për tre vjet që është më pak se 14 miliardë denarë. Kjo Qeveri, për dy vjet, ka paguar rreth 15 miliardë denarë, që do të thotë një miliard denarë më shumë se sa paguan ata për tre vjet. Kjo është e vërteta dhe këto janë shifra.", - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Subvencionet janë ulur për 40 milionë euro
Nga partia opozitare LSDM akuzojnë se Mickoski i gënjeu bujqit dhe se pas dy viteve në pushtet, bujqësia është në gjunjë. Sipas tyre, subvencionet janë zvogëluar për 40 milionë euro, ndërsa blerja e produkteve ka rënë për 46%. Nga LSDM theksojnë se goditjen më të rëndë po e pëson blegtoria, ku çmimi i qumështit ka rënë në mezi 20 denarë, gjë që detyroi dy qumështore në Dellçevë të ndërpresin blerjen.
"Bujqit pësuan goditje edhe nga rritja e karburanteve, ndërsa subvencionet po vonohen. Mickoski duhet të tregojë pse nuk ka masa për qumështin, orizin dhe perimet. Në buxhet nuk ka para për bujqit për shkak të tenderëve kriminalë, e tani po mbarojnë paratë edhe për tenderë, prandaj po i ngutet për zgjedhje.", theksojnë nga LSDM, nga ku shtojnë se Mickoski duhet të dalë dhe t'u tregojë bujqve se pse nuk ka masa për qumështin, orizin, domaten dhe specin.
Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se ditlëve në vijim mund të ketë edhe ulje të çmimeve të naftës.
ERSAN PAJAZITI
