Maqedoni
Kocijançiç: liderët politik të pranojnë përgjegjësinë, Han nuk planifikon raund të ri bisedimesh
11.06.2015 17:21
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, në konferencën e sotme për shtyp në Bruksel prezantoi pikëpamjen e qeverisë joformale të BE-së...

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, në konferencën e sotme për shtyp në Bruksel prezantoi pikëpamjen e qeverisë joformale të BE-së për negociatat e mbrëmshme të pasuksesshme 12 orëshe të katërshes së liderëve politik nga Maqedonia me ndërmjetësim të komisarit Han.
Kocijançiç tha se komisari Han nuk planifikon raund të ri bisedimesh me katërshen e politikanëve nga Maqedonia. Pas dështimit të djeshëm të bisedimeve në Bruksel, komisari tani do të presë hapin nga vetë liderët.
E pyetur se nga kush konkretisht është dëshpëruar komisari Han që dialogu i djeshëm dështoi, duke marrë parasysh që ai në profilin e tij në Twiter shkroi se është i dëshpëruar "nga mungesa e lidershipit ", Kocijançiç është përgjigjur:
“Sigurisht se ekzistojnë nivele të ndryshme të përgjegjësisë për liderët të cilët morën pjesë në bisedimet e djeshme në Bruksel, nëse e shikoni deklaratën në mënyrë specifike, ajo që është esenciale është që liderët politik të vendit ta pranojnë përgjegjësinë që është vetëm e atyre dhe të paraqiten me propozim të kompromistë, që do të mundësojë që vendi të lëvizë përpara. Siç e dini, komisari Han dje mbajti takim me liderët e katër partive më të mëdha politike nga Maqedonia, si vazhdim i diskutimit për gjetje të zgjidhjes për krizën politike që ende po zgjat në vend”- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç.
Kocijançiç shtoi se ky nuk ishte takimi i parë, për shkak se në takimin e fundit në Shkup një numër i madh i konkluzioneve veç më u diskutuan dhe dakorduan, por për disa ende duhej të bisedohej gjatë ditës së djeshme dhe bisedimet zgjatën 12 orë.
“Për fat të keq, ato nuk sollën marrëveshje, ne intervenuam që të gjitha palët, në interes të qytetarëve dhe vendit, të gjejnë kompromis të qëndrueshëm politik, pa prolongim të mëtejshëm dhe të paraqiten me propozime konkrete për epilogun e tyre, në bazë të marrëveshjeve që veç më janë arritur"- theksoi Kocijançiç.
Ajo gjithashtu shtoi se "disa elemente kyçe nga marrëveshja e 2 qershorit, përfshirë këtu mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, janë dakorduar, por një nga gjërat që ende është në tryezë është organizimi i saktë i qeverisë që do t'i përgatisë këto zgjedhje.
Kocijançiç deri në fund ishte decide se KE-ja është e gatshme dhe e përkushtuar ta lehtësojë këtë proces, por nuk përmendi datë për takim të radhës.
MERITA GASHI
