ShBA-ja dhe Irani arritën marrëveshje paqeje, Ngushtica e Hormuzit do të rihapet për lundrim
15.06.2026 15:30
ShBA-ja dhe Irani kanë arritur një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive...

Pas muajsh kërcënimesh dhe frike nga një konflikt më i gjerë rajonal, ShBA-ja dhe Irani kanë arritur një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive, e cila pritet të nënshkruhet të premten në Gjenevë dhe të hyjë menjëherë në fuqi. Pakistani, si ndërmjetës, do të jetë mikpritës i ceremonisë së nënshkrimit.
“Pas bisedimeve intensive, kemi kënaqësinë të njoftojmë se është arritur marrëveshja e paqes mes ShBA-së dhe Iranit. Të dyja palët kanë shpallur ndërprerje të menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.”, thuhet në njoftimin e kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharifit.
Sipas Trampit, ShBA-ja do të heqë bllokadën detare ndaj porteve iraniane, ndërsa Ngushtica e Hormuzit do të rihapet dhe do të jetë e lirë për qarkullimin ndërkombëtar detar. Ai shtoi se marrëveshja do të kontribuojë në stabilitet dhe në rrjedhën e pandërprerë të naftës drejt tregjeve botërore.
“Marrëveshja me Iranin është përfunduar. Urime të gjithëve! Me këtë miratoj hapjen e Ngushticës së Hormuzit pa tarifa dhe heqjen e bllokadës detare të ShBA-së. Anije nga e gjithë bota, përgatituni për lundrim. Le të rrjedhë nafta!”, thuhet në njoftimin e presidentit të ShBA-së, Donald Trampit.
ShBA-ja dhe Irani kanë qëndrime të ndryshme për hapat e ardhshëm pas nënshkrimit të marrëveshjes. Teherani thotë se është dakorduar vetëm teksti i memorandumit, ndërsa çështjet bërthamore mbeten të hapura. Irani kërkon lirimin e fondeve të ngrira dhe heqjen e sanksioneve para vazhdimit të negociatave, gjë që Uashingtoni e kundërshton.
“Për momentin është finalizuar vetëm teksti i memorandumit të mirëkuptimit. Detyrimet do të hyjnë në fuqi pas nënshkrimit formal. Nuk kemi besim te pala tjetër, prandaj zbatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Do të monitorojmë përmbushjen e detyrimeve nga ShBA-ja dhe fazën e ardhshme të negociatave.”, - theksoi zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Kazem Gharibabadi.
Liderët botërorë dhe komuniteti ndërkombëtar kanë reaguar në mënyra të ndryshme ndaj marrëveshjes. Izraeli kundërshton tërheqjen e forcave të tij nga Libani, ndërsa Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia kanë deklaruar se janë të gatshme të heqin sanksionet nëse Irani ndërmerr hapa të verifikueshëm lidhur me programin e tij bërthamor.
“Është jetike që të gjitha palët ta shfrytëzojnë këtë mundësi për stabilitet në rajon dhe për rikthimin e lirisë së lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit. Do të punojmë me partnerët që kjo marrëveshje të shndërrohet në paqe të qëndrueshme.”, - deklaroi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
“Armët tani duhet të heshtin, ndërsa dallimet e pazgjidhura duhet të zgjidhen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”, - u shpreh presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
“Të gjithëve u nevojitet që Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur dhe që kjo luftë të përfundojë. Marrëveshja është e mirëpritur dhe shpresojmë që të zgjasë.”, - theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
Ish-presidenti amerikan Barak Obama shprehu skepticizëm ndaj marrëveshjes së re, duke vlerësuar se ajo mund të mos jetë më e mirë se marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e arritur gjatë mandatit të tij. Pas publikimit të lajmit, çmimet e naftës ranë, ndërsa tregjet financiare shënuan rritje. Analistët theksojnë se sfida kryesore do të jetë zbatimi i marrëveshjes në muajt në vijim.
ARMEND MURSELI
