Forumi i Sigurisë në Shkup, Ballkani përballë kërcënimeve hibride
15.06.2026 15:32
Ndryshimet gjeopolitike dhe kërcënimet e vazhdueshme hibride kanë vënë në lëvizje autoritetet....

Ndryshimet gjeopolitike dhe kërcënimet e vazhdueshme hibride kanë vënë në lëvizje autoritetet dhe rrethet akademike në Shkup. Në Forumin e parë të Sigurisë, u bë e qartë se Maqedonia e Veriut nuk mund të shihet si një ishull i izoluar dhe se rreziqet me të cilat përballet vendi janë kryesisht me karakter rajonal. Përveç luftës katërvjeçare në kontinent, sfidat më të mëdha mbeten dezinformatat dhe sulmet kibernetike. Sipas ekspertëve, rritja e vetëdijes te qytetarët e thjeshtë është hapi kryesor për të rritur qëndrueshmërinë kombëtare ndaj këtyre kërcënimeve.
“Rreziqet e sigurisë për Maqedoninë janë të ndërlikuara. Ne nuk jemi të shkëputur nga pjesa tjetër e Ballkanit. Kërcënimet nuk na përkasin vetëm neve; ato janë rajonale, të paktën. Dhe në këtë drejtim, kemi gjithnjë e më shumë kërcënime hibride që lidhen si me zhvillimin e teknologjisë digjitale, ashtu edhe me krijimin e narrativave – të njohura si dezinformata apo ndikime dashakeqe. Krijimi i një publiku që do të dijë t'i dallojë këto rreziqe në nivelin e një qytetari të thjeshtë, është ajo që mund të rrisë qëndrueshmërinë tonë.”, - u shpreh profesori universitar Aleksandar Ivanov.
Nga ky forum u dërgua mesazhi se paqja dhe stabiliteti në rajon nuk mund të merren si të mirëqena, por kërkojnë ndërtim dhe mbrojtje të vazhdueshme përmes institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit.
“Ne po jetojmë në një periudhë transformimi të thellë gjeopolitik. Mjedisi i sigurisë globale po ndryshon me shpejtësi, ndërsa sfidat e reja vazhdojnë të shfaqen së bashku me kërcënimet tradicionale. Në një mjedis të tillë, stabiliteti nuk mund të shihet si një gjendje e përhershme; ai duhet të ndërtohet, të mbrohet dhe të forcohet vazhdimisht.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
Në këtë kontekst, u riafirmua se për Maqedoninë e Veriut, integrimi evropian dhe rreshtimi i plotë si aleate e NATO-s mbeten garancia më e fortë për sigurinë afatgjatë. Lufta e përbashkët kundër disinformimit dhe krimit transnacional u vlerësuan si hapa kyç për të rritur qëndrueshmërinë e shoqërive të rajonit përballë krizave të ardhshme.
ERSAN PAJAZITI
