Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka nxitur debat të ashpër mes deputetëve shqiptarë në Kuvend. Propozim-ligjin e Qeverisë para deputetëve e arsyetoi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i cili theksoi se pas 24 vitesh ky parim kushtetues po shndërrohet në zgjidhje ligjore. Sali deklaroi se ligji buron nga obligimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës, duke vlerësuar se për herë të parë parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat po rregullohet me ligj, gjë që, sipas tij, i jep rëndësi historike këtij akti. Ai u bëri thirrje deputetëve të të gjitha blloqeve politike, veçanërisht deputetëve shqiptarë, që ta mbështesin ligjin, duke nënvizuar se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e asnjë partie politike, por arritje e qytetarëve dhe obligim i përbashkët i të gjithëve. Sipas tij, ligji është harmonizuar me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe nuk paraqet zgjidhje partiake, por një model në përputhje me standardet evropiane. Sali shtoi se ligji parashikon mekanizma kontrolli dhe përgjegjësi politike për drejtuesit e institucioneve që nuk do ta zbatojnë atë.
“Ky ligj synon që përfaqësimi i drejtë dhe adekuat dhe meritokracia të ecin së bashku, pasi institucionet më të larta duhet të jenë njëkohësisht profesionale dhe përfaqësuese. Aspekti kryesor është se ligji është harmonizuar me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Pra, nuk bëhet fjalë për një zgjidhje partiake, por për një zgjidhje në përputhje me standardet evropiane, ndaj askush sot nuk mund të thotë se ky ligj është larg Evropës. Përkundrazi, ky ligj është dëshmi se obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit mund të realizohen duke respektuar standardet më të larta.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
Nga ana tjetër, partitë shqiptare në opozitë e kundërshtuan ashpër propozim-ligjin, duke vlerësuar se ai cenon të drejtat e fituara të shqiptarëve, ndërkohë pushteti në mbrojtje.
“Ky ligj nuk mund të shihet i shkëputur nga realiteti politik i dy viteve të fundit. Ai është produkt i kësaj qeverisjeje dhe njëkohësisht dëshmia e mënyrës se si kjo shumicë e ka kuptuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Për dy vite me radhë shqiptarëve iu tha të mos shqetësohen, u premtua mbrojtje e të drejtave të fituara, por realiteti solli zbehje të mekanizmave të përfaqësimit, degradim të kuadrove shqiptare dhe relativizëm të çështjeve që dikur konsideroheshin të panegociueshme. Ky propozim-ligj duhet të jetë një mundësi për korrigjim dhe jo për institucionalizimin e këtyre dobësive.”, - theksoi Rina Ajdari nga BDI.
“Imagjinoni absurdin! Kërkoni kornizë ligjore për ta bërë të zbatueshme një kornizë tjetër që quhet Marrëveshje e Ohrit dhe pastaj premtoni se do të ketë zbatim. Flisni për përgjegjësi politike, por nuk është risi, përgjegjësia politike a e dini kush është: premtimet që ia keni dhënë qytetarëve. Kjo është përgjegjësi politike. Ky nuk është Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ua kam dorëzuar unë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat që ta shihni se si duhet të duket.”, - u shpreh Ziadin Sela nga Lidhja Shqiptare.
“Është interesant se pse BDI e mbron balancuesin një vegël në raport me ligjin. Vërtet çuditem. Balancuesi është sjellë në vitin 2015, një vit pasi VMRO-DPMNE me Gruevskin dhe Mijalkovin fitojnë 61 mandate, rekorin historik kjo parti e ka në zgjedhjet parlamentare 2014 dhe në vitin 2015 hyri në fuqi kjo vegël mekanizimi i balancuesit. Mendoni vërtet se Mijalkovi dhe Gruevski ua lë fajin një vegle, mekanizëm që do të ndihmonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Mua më duket tejet naiv ky pretendim.”, - deklaroi Bekim Qoku nga VLEN.
Kundër ligjit u deklarua edhe deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, i cili konsideron se zgjidhja është vendosur mbi baza të gabuara.
“Unë po e them qëndrimin tim personal si deputet i LSDM-së, që këtë ligj në këtë formë nuk do ta votoj. As si deputet për badinter, as me shumicë të thjeshtë, sepse mendoj se derisa nuk ka mekanizëm mbrojtës që do të thotë mekanizëm që do të sigurojë, po meritokraci dhe përfaqësim të drejtë dhe adekuat, mundësi për komunitetet joshumicë, që mos të jetë diskriminues. Mendoj se ligji nuk është i mjaftueshëm.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
Për propozim-ligjin, në Kuvend u organizua edhe debat publik.
“Ligji rregullon respektimin, afirmimin, promovimin dhe monitorimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore dhe publike që nënkupton ngritjen e statusit të këtij parimi kushtetues, sepse duke e përkufizuar me ligj përfaqësimin si një vlerë themelore e trendit kushtetues. Garantohet e drejta për mjet juridik efektiv, pra nëpërmjet ankesës dhe padisë duke i respektuar këtu standardet e një procesi të drejtë.”, - u shpreh profesori universitar, Jeton Shasivari.
“Pres që në fazën e ardhshme të ketë hapësirë për përmirësime thelbësore të ligjit, transparencë më të madhe, mekanizma më të forta kontrolli, që zgjidhja që vërtet do të sigurojë përfaqësim të drejtë në interes të të gjithë qytetarëve. Qëllimi ynë nuk është bllokimi i procesit, qëllimi ynë është ligj më i mirë, një ligj që do të forcojë besimin ndërmjet komuniteteve do t'i përmirësojë institucionet dhe do të jetë në përputhje me standardet demokratike evropiane.”, - deklaroi juristi, Agron Demiri.
Ndryshe, Komiteti për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në seancën e 4 qershorit votoi që ligji të miratohet me të ashtuquajturin “Badinter i vogël”, përkatësisht me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe shumicën e votave të deputetëve që u përkasin bashkësive joshumicë.