Rajon
Kurti: I gatshëm për bashkëpunim me opozitën
16.06.2026 14:04
Kurti thotë se sapo të bëhet certifikimi i rezultatit, pa humbur kohë të nisë konstituimi i legjislaturës së njëmbëdhjetë....

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, thotë se është i interesuar që sapo të bëhet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, pa humbur kohë të nisë konstituimi i legjislaturës së njëmbëdhjetë. Por, Kurti thekson se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta bëjë e vetme zgjedhjen e presidentit, prandaj ai u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me opozitën.
“Ne do të përpiqemi për sa më shumë bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes. Nuk kanë munguar ofertat në të kaluarën nga ana jonë. Qasja jonë është konstruktive, është kreative, është aktive, por për të ecur përpara ka nevojë që të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës.”, - deklaroi u.d. kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
A do të protestojë VV-ja kundër gazit amerikan? Kurti: Po qarkullojnë lajme të rreme
Kurti njëherësh ka përgënjeshtruar pretendimet se Lëvizja Vetëvendosje po përgatit protesta kundër gazit amerikan.
“Kam parë që kanë qarkulluar disa lajme të rrejshme për atë se Lëvizja Vetëvendosje planifikon protesta. Natyrisht në këtë shekull protestat më të fuqishme i ka bërë LVV-ja dhe ndoshta kur njerëzit e mendojnë protestën, e mendojnë LVV-në. Mirëpo, kjo nuk flet asgjë për neve, flet për ata.”, - theksoi u.d. kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Deklaratat e tilla erdhën nga ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sipas të cilit, kryeministri Kurti është kundër gazit amerikan, derisa Lëvizja Vetëvendosje synon të organizojë protesta.
GYLTENE SINANI
