Toshkovski: U arrestua zjarrvënësi te Ambasada Bullgare
16.06.2026 15:52
Toshkovski thotë se MPB e dënon aktin e djegies së dy veturave zyrtare të Ambasadës Bullgare në Shkup...

Ashtu si Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme, edhe Ministria e Punëve të Brendshme e dënon aktin e djegies së dy veturave zyrtare të Ambasadës Bullgare në Shkup, thotë ministri i Brendshëm, Toshkovski. Ai njëherësh bëri të ditur se i dyshuari menjëherë është identifikuar dhe është kapur, ndërsa rasti në Prokurori do të trajtohet me urgjencë.
“Dhuna nuk do të lejohet dhe tolerohet. Edhe intervenimi i MPB-së për ndriçimin e rastit e konfirmon këtë. Kryerësi që dyshohet për vënien e zjarrit ndaj automjeteve në pronësi të Ambasadës Bullgare është identifikuar shumë shpejt, është siguruar nga ana e MPB-së, në bashkëpunim me agjencinë për siguri nacionale, të cilët u përfshinë në ndarjen e informacioneve kyçe për këtë ngjarje. Siç jam informuar nga shefi i SPB Shkup, prokurori mendoj se këtë procedurë do ta zhvillojë në procedurë urgjente.”, - deklaroi Pançe Toshkovski nga MPB.
Filipçe: Politikat e urrejtjes sjellin vetëm tragjedi
Ndërsa kreu socialdemokrat Venko Filipçe, nga ceremonia e shënimit të 83-vjetorit të vrasjes së të rinjve në Vatasha nga okupatori bullgar, theksoi se politika e ndarjes dhe urrejtjes sjellin vetëm tragjedi.
“Kjo na mëson se politikat e urrejtjes dhe ndarjes, e vetmja që sjellin janë tragjeditë, prandaj e kemi obligim që në kohën e sotme ta forcojmë demokracinë, sundimin e së drejtës dhe të gjitha vlerave e politikave që dalin nga tmerret e luftës së dytë botërore.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, duke e dënuar ashpër djegien e dy automjeteve në pronësi të Ambasadës Bullgare në Shkup, ditën e hënë vlerësojnë se sulmi është rezultat i një gjuhe agresive politike që nxit urrejtje dhe i mungesës së reagimit të duhur nga institucionet në raste të ngjashme të mëparshme, të cilat krijojnë ndjenjën e pandëshkueshmërisë për autorët.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
