Autostrada Shkup – Bllacë, BDI - VLEN akuza për vonesa e interesa të fshehta

16.06.2026 15:54

BDI-ja dhe VLEN-i kanë shkëmbyer akuza lidhur me projektin e autostradës Shkup - Bllacë...

BDI-ja dhe VLEN-i kanë shkëmbyer akuza lidhur me projektin e autostradës Shkup - Bllacë. BDI-ja deklaroi se VLEN-i ka vonuar për dy vite procesin e ndërtimit të autostradës dhe se projekti është rezultat i punës së saj. Në reagimin e saj, VLEN-i i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se piskamat e BDI-së për Autostradën Shkup - Bllacë kanë vetëm një arsye; traseja nuk kalon aty ku për vite janë bërë hesape dhe janë blerë toka me shpresën e përfitimeve milionëshe nga shpronësimi. 
 
“Për herë të parë fitojnë qytetarët, e jo interesat partiake. Kjo është arsyeja e vërtetë e zhurmës së tyre. Përpjekja që autostrada të shërbejë për interesa individuale dhe jo për interesa të qytetarit, ka dështuar. Trasa po realizohet sipas zgjidhjes profesionale dhe në dobi të qytetarëve, jo sipas planeve të atyre që menduan se do të pasuroheshin nga kjo rrugë. Për vite me radhë ky projekt strategjik u zvarrit dhe mbeti peng i interesave të ngushta. Sot, kur më në fund po avancon, përfitues nuk do të jenë individë të privilegjuar, por qytetarët, bizneset, ekonomia dhe lidhja strategjike me Kosovën. VLEN-i nuk është në Qeveri për të mbrojtur interesa private, por për të realizuar projekte që për dekada janë përdorur vetëm për propagandë politike. Autostrada Shkup - Bllacë është një prej projekteve që dëshmon dallimin mes atyre që flisnin për zhvillim dhe atyre që po e realizojnë atë në praktikë. Autostrada Shkup - Bllacë është dëshmia më e mirë e dallimit mes dy qasjeve politike: 24 vite premtime pa realizim dhe 24 muaj angazhim që e çojnë projektin drejt përfundimit.”, theksojnë nga partia shqiptare në pushtet VLEN. 
 
Nga ana tjetër, BDI u është përgjigjur këtyre pretendimeve, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe shpifëse.
 
“Kjo është metoda e vjetër: kur mungojnë rezultatet, prodhohen akuza. Kur mungojnë argumentet, kryhen shpifje. Qytetarët nuk presin shpifje. Ata presin përgjigje. Pse u vonua projekti? Pse u tentua ndryshimi i karakterit të tij? Dhe pse sot po paraqitet si sukses i VLEN-it një projekt që ishte projektuar, financuar dhe nisur shumë kohë para ardhjes së tyre në pushtet? Sa herë që Izet Mexhiti flet për toka, prona dhe interesa private, ai në fakt flet për botëkuptimin e tij politik. Nëse VLEN-i disponon prova për çfarë do veprimi të kundërligjshëm, le t’i dorëzojë ato në organet kompetente. Në të kundërtën, shpifjet publike mbeten vetëm një mjet për ta larguar vëmendjen nga mungesa e rezultateve dhe nga premtimet e pa mbajtura.”, thanë nga BDI.
 
Nga BDI deklarojnë se do të vazhdojnë të mbrojnë interesin publik dhe projektet strategjike, duke shtuar se qytetarët do të vlerësojnë vetë qëndrimet e palëve lidhur me autostradën Shkup - Bllacë. 
 
ARMEND MURSELI