Maqedoni

Integrimi evropian, pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara

17.06.2026 15:15

Lidhur me procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe kërkesat për ndryshimin e disa elementeve të kornizës së negociatave me BE-në...

Lidhur me procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe kërkesat për ndryshimin e disa elementeve të kornizës së negociatave me BE-në, është shprehur edhe kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, i cili vlerëson se Unioni duhet të ruajë kredibilitetin e tij dhe të korrigjojë, siç e quan ai, padrejtësinë ndaj vendit. Ai u bëri thirrje eurodeputetëve që të mbështesin amendamentin që avancon procesin negociues.
 
“Nëse BE-ja dëshiron ta mbajë kredibilitetin e saj, duhet që ta përmirësojnë këtë padrejtësi që i është bërë RMV-së, dhe u bëj thirrje eurodeputetëve që ta pranojnë amendamentin i cili vlerëson avancimin dhe dobitë, por edhe pjesën ku protokollet nuk janë pjesë përbërëse e kornizës së bisedimeve. Unë shpresoj se eurodeputetët do të mbeten tek vlerat evropiane, por në rastin tonë, për fat të keq, fajin ndonjëherë duhet ta kërkojmë edhe në mesin tonë, sepse kemi pasur politikanë në të kaluarën të cilët i kanë sjellë dëm, por gjenerata e re e politikanëve, edhe këtu edhe në Bashkimin Evropian, këto gabime do t’i përmirësojnë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështjet Evropiane, Bekim Sali, theksoi se mesazhet e dërguara nga eurodeputetët përfaqësojnë një konfirmim të fortë të perspektivës evropiane të vendit dhe një nxitje shtesë për të vazhduar procesin e reformave. Por, sipas LSDM-së opozitare, draft-raporti i Parlamentit Evropian ka treguar qartë se RMV-ja po ngecë në reformat, dhe se sipas tyre, Mickoski nuk dëshiron anëtarësim në BE, sepse ka frikë nga përgjegjësia, prandaj edhe nuk ka reforma, nuk ka përparim, ka izolim.
 
“Ne kemi paralajmëruar për gjithçka dhe tani gjithçka është konfirmuar në draft-raportin e Parlamentit Evropian. Tani gjithçka është plotësisht e qartë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë mbrojtje të identitetit kombëtar maqedonas nga Mickoski, por për mbrojtjen e pushtetit të tij kriminal, domethënë pushtetit kriminal të grupit të tij. Mickoski nuk dëshiron anëtarësim në BE, sepse ka frikë nga përgjegjësia. Nuk ka reforma, nuk ka përparim, ka izolim. Kjo është arsyeja pse po zhvillohet një fushatë antievropiane.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së. 
 
Ndërkohë kryeministri Mickoski ka komentuar edhe nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës, e cila, sipas tij, i ka mundësuar vendit të integrohet në strukturat e NATO-s, por jo edhe ecje përpara në rrugën eurointegruese të vendit tonë. 
 
“Euro-burokratët e atëhershëm na premtonin se do të kemi nga ajo marrëveshje shumë përfitime, siç është shëndetësi falas, arsim më kualitativ dhe falas, më shumë mundësi për të rinjtë. Menjëherë do të futemi në NATO, menjëherë do t’i fillojmë bisedimet për anëtarësim, dhe nga të gjitha ato asgjë nuk u realizua, përveç anëtarësimit në NATO. Dhe të mësuar nga këto leksione, ne e udhëheqim politikën ndërkombëtare, por jo si pastrues të këpucëve në Bruksel, por politikë e argumentuar me fakte.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Marrëveshja e Prespës vlerësohet në qarqet diplomatike si një hap kyç për tejkalimin e mosmarrëveshjeve ndërfqinjësore. 
 
FITIM KRYEZIU