Miratohet Raporti i PE-së për RMV-në, jo amendamenti 3

17.06.2026 17:02

Me 411 vota “për” PE miratoi Raportin për progresin e RMV-së në rrugën drejt BE-së...

Parlamenti Evropian, sot, 411 vota “për”, 120 kundër dhe 120 abstenime, miratoi Raportin e raportuesit Thomas Uaic për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Amendamenti 3, i propozuar nga Uaic, me të cilin kërkohej të fshihej paragrafi 73 i rezolutës së ardhshme, u hodh poshtë. 338 eurodeputetë votuan kundër fshirjes së tekstit, ndërsa vetëm 126 e mbështetën atë.
 
Nëse ky amendament do të ishte miratuar, teksti nuk do ta përmendte në mënyrë specifike Protokollin e Dytë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Kjo do të thotë se arritja e komisionit të përbashkët të historisë mes Shkupit dhe Sofjes mbetet vendimtare në rrugën integruese të vendit. Raporti nënvizohet me mbështetjen e plotë për integrimin evropian të vendit dhe përsërit thirrjen e Këshillit Evropian nga konkluzionet e vitit 2024 që Maqedonia e Veriut të përshpejtojë ndryshimet kushtetuese të nevojshme për hapjen e grupit të parë të kapitujve negociues, në përputhje me kornizën negociuese.
 
Raportuesi Uaic tha se në disa pika është theksuar qartë se çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen në nivel dypalësh. Për Bashkimin Evropian është krejtësisht e qartë se respektimi i të drejtave të pakicave përbën një element themelor të legjislativit evropian. Kjo përfshin edhe votimin për reformat kushtetuese që kanë të bëjnë me çështjet e pakicave, duke përfshirë edhe pakicën bullgare, tha Uaic.
 
“Këshilli Evropian ka zhbllokuar mundësinë për fillimin e negociatave, me mirëkuptim ndaj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të pranojë ndryshimet dhe plotësimet kushtetuese dhe të përfshijë pakicat. Pra, tani Maqedonia e Veriut duhet të iniciojë procedurën dhe në fund Parlamenti i saj të marrë vendim për këtë çështje. Kur kjo çështje të konfirmohet, menjëherë do të jetë e gatshme për fillimin e negociatave. Unë e kuptoj edhe qëndrimin e disa anëtarëve të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë frikë se pasi të përmbushet ky kusht, mund të shfaqen kushte të reja. Megjithatë, bëhet fjalë për një vend që është në pritje të anëtarësimit prej 23 vitesh dhe e di që ekziston një qëndrim kritik se do të shfaqen edhe kushte të tjera. Duhet të them se rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon shumë ndryshime, si ligjore ashtu edhe kushtetuese. Unë besoj se ne në Bashkimin Evropian duhet të sigurohemi që të ketë parashikueshmëri në këtë proces.”, - deklaroi raportuesi i BE-së për Maqedoninë e Veriut, Tomas Uaic. 
 
Raporti paralajmëron për përpjekje të koordinuara për manipulimin e diskursit publik dhe përhapjen e narrativeve anti-evropiane, përfshirë edhe përmes ndikimit të huaj në hapësirën mediatike. Në të njëjtin kontekst përmenden edhe ndikimet gjeopolitike në rritje nga vende të treta, të cilat e komplikojnë më tej procesin reformues dhe situatën e sigurisë. Duhet fokusuar në reforma dhe luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Raporti që u votua nga Parlamenti Evropian nuk është obligues, por paraqet një indikator të fortë për të treguar se sa një shtet është i gatshëm për anëtarësim në BE. 
 
FLORIJE KAMBERI