Maqedoni

Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin për emrat e rrugëve në Tetovë

17.06.2026 18:13

Vendimi i kushtetueses është miratuar me 5 vota “për”, ndërsa dy gjyqtarët shqiptarë dhe një gjykatës turk kanë votuar “kundër”....

Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme ka miratuar vendimin me të cilin i abrogon emrat e rrugëve të miratuar në vitin 2007 nga Këshilli i Komunës së Tetovës. 
 
Vendimi i kushtetueses është miratuar me 5 vota “për”, ndërsa dy gjyqtarët shqiptarë dhe një gjykatës turk kanë votuar “kundër”. Me këtë vendim shfuqizohen emrat si ai i sheshit “Iliria”, apo emrat e rrugëve si “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara”, e “Kongresi i Manastirit”. 
 
Iniciativa në Gjykatën Kushtetuese ishte dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, duke theksuar se Këshilli i Tetovës i ka ndryshuar emrat pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin e miratuar në vitin 2004 në Kuvend. 
 
Ndaj këtij vendimi ka reaguar BDI, sipas të cilës vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se fushata për çmontimin e arritjeve politike të shqiptarëve po hyn në një fazë të re. 
 
“Rikthimi i emrit “Marshal Tito” në sheshin qendror të Tetovës është vetëm shenja më e fundit e një realiteti që po bëhet çdo ditë më i dukshëm: institucionet e shtetit po përdoren për të fshirë gjurmët e barazisë së fituar me dekada përpjekje politike”, theksojnë na BDI, sipas të cilës përgjegjësia nuk ndalet vetëm te Gjykata Kushtetuese, por edhe te ata që legjitimojnë këtë realitet.