Maqedoni

Studentët mirëpresin raportin e PE-së

18.06.2026 11:35

Ademi ka përshëndetur qëndrimin e Parlamentit Evropian lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore...

Njëri nga iniciatorët e kërkesës për zhvillimin e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, Mevlan Ademi, ka përshëndetur qëndrimin e Parlamentit Evropian lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut. 
 
Përmes një reagimi publik, Ademi falënderoi eurodeputetët dhe miqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Bruksel për mbështetjen e tyre në mbrojtje të ligjit dhe të drejtave gjuhësore. 
 
Sipas tij, thirrja e Parlamentit Evropian drejtuar autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore përbën një mesazh të qartë në mbështetje të zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si në aspektin ligjor ashtu edhe në frymën e saj. Në reagim theksohet gjithashtu se Parlamenti Evropian ka kërkuar që protestat studentore të mos paraqiten padrejtësisht si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues, duke vlerësuar se kërkesat e studentëve lidhen me respektimin e të drejtave të garantuara me ligj.