Maqedoni

BDI dhe Lidhja Shqiptare kërkojnë seancë urgjente për emrat shqip

18.06.2026 14:47

Këshilltarët e AKI-së dhe Lidhjes Shqiptare kanë kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme...

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emërtimeve shqip të rrugëve dhe shesheve të Tetovës ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Shqiptare. Këshilltarët e AKI-së dhe Lidhjes Shqiptare kanë kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për ri-miratimin e vendimit të vitit 2006. 
 
“Kjo kërkesë vjen pas aktvendimit të papranueshëm skandaloz dhe antishqiptar të Gjykatës Kushtetuese mbi të cilin u shfuqizua vendimi i këshillit të vitit 2006 për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve në Tetovë. Ky nuk është vendim juridik, por një goditje e rëndë e identitetit historik, realitetit shoqëror dhe dinjitetit qytetar të Tetovës. Në vitin 2006, BDI-ja e miratoi këtë vendim me votim të të gjithë këshilltarëve, të të gjithë etnive me marrëveshje të plotë politike dhe me votim sipas parimit të badinterit. Sot kërkojmë që ky vendim të ri-miratohet menjëherë.”, - deklaroi këshilltari i AKI-së, Berat Murati.
 
Qamili: Skenar i BDI-së dhe Kushtetueses
 
Nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, tha se këto veprime janë të organizuara nga BDI-ja dhe Gjykata Kushtetuese, sepse vendimi i vitit 2007 për emërtimin e rrugëve shqip, ka qenë vendim gjysmak nga BDI-ja, ndërsa tani do të regjistrohen sipas ligjit.
 
“Këto veprime janë të organizuara nga BDI-ja dhe Gjykata Kushtetuese. Po shfuqizohet një vendim i vitit 2007, që realisht nuk ka qenë kurrë në fuqi, sepse ato emra shqip nuk kanë qenë të regjistruara askund ashtu. Nuk e di pse po reagon BDI dhe atë për Komunën e Tetovës, le të reagojnë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Këto veprime janë defokusim nga një moment kur ne po punojmë për zgjidhjen e duhur të kësaj çështjeje, kur po finalizojmë emërtimin e rrugëve sipas ligjit, sipas vendimit të Këshillit, por dhe miratimit nga Qeveria.”, - theksoi nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.
 
Iniciativa në Gjykatën Kushtetuese ishte dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, duke theksuar se Këshilli i Tetovës i ka ndryshuar emrat e rrugëve dhe shesheve pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin e miratuar në vitin 2004 në Kuvend. Vendimi i Kushtetueses është miratuar me 5 vota “për”, ndërsa dy gjyqtarët shqiptarë dhe një gjykatës turk kanë votuar “kundër”.
 
ARMEND MURSELI