Ekonomi
Energjetikë, çmimi i rrymës për qytetarët nuk do të rritet
18.06.2026 15:45
Ministria e Energjetikës njoftoi se janë përmbushur kushtet e përcaktuara në agjendën evropiane...

Ministria e Energjetikës njoftoi se janë përmbushur kushtet e përcaktuara në agjendën evropiane, sipas së cilës, 70 për qind e energjisë elektrike i sigurohet furnizuesit universal, ndërsa pjesa tjetër në bursë. Sipas vlerësimeve të ministrisë, kjo nuk pritet të ndikojë në rritjen e çmimeve për qytetarët, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare janë në rënie dhe mbi 58 për qind e energjisë në vend prodhohet nga burime të ripërtërishme. Nga ministria theksojnë se janë realizuar të gjitha detyrimet nga agjenda reformuese në sektorin energjetik. Ndryshimi kryesor ka të bëjë me zvogëlimin e ndërhyrjes së ESM-së, e cila në të ardhmen do të furnizojë deri në 70 për qind të nevojave të furnizuesit universal, në vend të 100 për qind si më parë.
“Sa i përket përmbushjes së obligimeve nga agjenda reformuese në sektorin e energjetikës, ato janë përmbushur të gjitha. Po punohet për pjesën e fundit, që ka të bëjë me uljen e ndërhyrjes. Nga 100% e energjisë që EMV ia jepte furnizuesit universal, tani do të jenë 70%, ndërsa tenderët për këtë vit tashmë kanë përfunduar. Kjo do të thotë se vitin e ardhshëm EMV nuk do të japë më 100%, por maksimumi 70% për furnizuesin universal.”, - deklaroi ministrja për Energji, Minierave dhe Lëndëve të Para, Sanja Bozhinovska.
Njëkohësisht po punohet edhe për një ligj të ri që do të rregullojë funksionimin e qendrave të të dhënave, duke përcaktuar kushtet, hapësirën dhe burimet energjetike e ujore të nevojshme për funksionimin e tyre. Autoritetet theksojnë se prioritet mbetet furnizimi i sigurt i qytetarëve me energji elektrike. Ndërsa për investimet private në qendrat e të dhënave, përgjegjësia për sigurimin e kushteve teknike dhe energjetike do t’u takojë investitorëve, ndërsa shteti do të krijojë kornizën ligjore për zhvillimin e tyre. Po ashtu, ministria bëri të ditur se rubini maqedonas nga rajoni i Prilepit është mbrojtur me sukses si produkt me origjinë gjeografike, ndërsa po shqyrtohet edhe mbrojtja e llojeve të caktuara të mermerit maqedonas.
FLORIJE KAMBERI
