ShBA dhe Irani, marrëveshje për paqe në formë elektronike
18.06.2026 15:40
Irani dhe ShBA-ja kanë nënshkruar në mënyrë elektronike memorandumin e mirëkuptimit që synon përfundimin e konfliktit...

Irani dhe ShBA-ja kanë nënshkruar në mënyrë elektronike memorandumin e mirëkuptimit që synon përfundimin e konfliktit. Memorandum është nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Tramp dhe ai iranian Masoud Pezeshkian, si dhe kryeministri pakistanez në cilësinë e ndërmjetësuesit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane ka sqaruar se kanë vendosur që të mos marrin pjesë në ceremoninë zyrtare, e cila ishte caktuar për të premten në Zvicër, pasi është vlerësuar se dy presidentët duhet ta nënshkruajnë marrëveshjen në formë elektronike.
“Ishte caktuar takim në Zvicër për nënshkrimin zyrtar të tekstit nga të dyja palët. Në 24 orët e kaluara e shqyrtuam këtë në mënyrë plotësuese dhe konstatuam se është më mirë që teksti të nënshkruhet nga dy presidentët pa prezencë fizike në ndonjë vend të caktuar. Po ashtu mendoj se mbajtja e ceremonisë nuk është shumë adekuate.”, - deklaroi zëdhënësi i MPJ-së së Iranit, Esmail Baghaei.
Ndërkohë presidenti amerikan Tramp ka thënë se ShBA-ja mund të rinisë veprimin ushtarak ndaj Iranit, nëse ai është i pakënaqur me zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit. Trampi tha se memorandumi është vetëm një marrëveshje fillestare.
“Nëse nuk sillen mirë, do t’u rikthehemi menjëherë bombardimeve, pikërisht në mes të kokës së tyre, sepse janë sjellë keq për 47 vjet.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga Ministria e Jashtme iraniane kanë thënë se nëse Izraeli vazhdon të sulmojë Libanin, kjo do të konsiderohet shkelje e memorandumit, i cili parasheh edhe ndërprerjen e sulmeve izraelite në Liban. Por, pavarësisht kritikave të përsëritura nga presidenti Tramp për veprimet e Izraelit, forcat izraelite kryen sulme të reja në Libanin jugor. Edhe Hezbollahu ka kryer sulme ndaj forcave izraelite. Nënshkrimi i marrëveshjes ka shkaktuar reagime të forta në Izrael, ku Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanjahu po e sheh zhvillimin si një goditje politike dhe strategjike.
Por, marrëveshja për t’i dhënë fund konfliktit është mirëpritur nga shtetet tjera, pasi ajo mes tjerash parasheh hapjen e Ngushticës së Hormuzit, mbyllja e së cilës shkaktoi tronditje të shumta në tregun botëror të derivateve të naftës. Kjo marrëveshje u ka hapur rrugë bisedimeve 60-ditore mes dy vendeve për përcaktimin e çështjeve të tjera, të cilat do të nisin në Zvicër të premten. Bisedimet pritet të përqendrohen mbi çështje teknike të lidhura me programin bërthamor të Iranit dhe rezervat me uranium të pasuruar.
GYLTENE SINANI
