Rajon
Haxhiu kritike ndaj misioneve ndërkombëtare: Nuk u morën sa duhet me krimet e Serbisë në Kosovë
18.06.2026 16:13
Misionet ndërkombëtare nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve që i ka bërë Serbia në Kosovë...

Misionet ndërkombëtare nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve që i ka bërë Serbia në Kosovë. Kështu ka deklaruar ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt. Ajo njëherësh apeloi te organet e drejtësisë që të vazhdojnë të merren me rastet e krimit të Serbisë në Kosovë.
“Fatkeqësisht, misionet ndërkombëtare që erdhën në Kosovë me këtë qëllim asnjëherë nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve që Serbia i ka bërë në vendin tonë. Këtë e kam thënë edhe më herët, po e përsëris sërish: asnjë prej misioneve që kishin ardhur që të merren me krimet e luftës, në fakt nuk ishin marrë me krimet e luftës. Vitet e fundit, unë besoj pajtohemi që ka pasur përparime në këtë drejtim, ndonëse kaq shumë krime janë bërë nga Serbia në Kosovë sa që edhe veprimet që janë ndërmarrë vitet e fundit na duken pak. Prandaj, me këtë rast, unë i thërras institucionet e drejtësisë që të ndërmarrin veprime e të mos ndalin angazhimin për adresimin e krimeve të luftës.”, - deklaroi ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
