Botë

Anulohet takimi ShBA - Iran në Zvicër

19.06.2026 12:44

Bisedimet mes ShBA-së dhe Iranit që ishin paraparë të zhvilloheshin më 19 qershor në Zvicër nuk do të zhvillohen...

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që ishin paraparë të zhvilloheshin më 19 qershor në Zvicër nuk do të zhvillohen, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme zvicerane, pa dhënë informacione shtesë për anulimin e bisedimeve.
 
Njoftimi vjen pasi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha gjatë natës se nënpresidenti amerikan JD Vance ka anuluar udhëtimin e planifikuar për në Zvicër, ku parashihej që të takohej me negociatorët iranianë për të nisur bisedimet për një marrëveshje të paqes për t’i dhënë fund luftës.
 
Shtëpia e Bardhë përmendi sfida logjistike për shtyrjen e udhëtimit të Vance. Logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
 
Më herët, agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim, raportoi se asgjë nuk është konfirmuar lidhur me udhëtimin e delegacionit të Teheranit në Zvicër. Mediat iraniane cituan raportime të pakonfirmuara, sipas të cilave, Teherani ka shtyrë dërgimin e ekipit negociator për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban.