Maqedoni
Qendra për Studime të Sigurisë, organizoi Konferencën e parë të Sigurisë në Shkup
19.06.2026 13:42
Shkupi ishte nikoqir i Konferencës së parë ndërkombëtare të Sigurisë, e organizuar nga Qendra për Studime të Sigurisë Shkup....

Shkupi ishte nikoqir i Konferencës së parë ndërkombëtare të Sigurisë, e organizuar nga Qendra për Studime të Sigurisë Shkup. Konferenca, u përqendrua në temën "Siguria në tranzicion: Lundrimi në teknologji, gjeopolitikë dhe rezistencë në një botë në ndryshim". Nga prezantuesit u shfaqën teza dhe analiza të thella mbi transformimin e konceptit të sigurisë në kohë të zhvillimit të shpejtë teknologjik, pasigurisë gjeopolitike, kërcënimeve hibride, cenueshmërisë ekonomike dhe rreziqeve që lidhen me ndryshimet klimatike, por theks i veçantë u vu në rolin e inteligjencës artificiale në mbrojtjen kibernetike dhe luftën moderne, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.
“Konferenca e sotme demonstron përkushtimin tonë për t’u përballuar me sfidat gjithnjë e më komplekse të çështjeve të sigurisë për kohën tonë. Tema e sotme po reflekton realitetin tonë, se siguria e kohës së sotme po shkon përtej mendimeve tradicionale luftarake. Bota po kalon përmes një transformimi të thellë, ndërsa inteligjenca artificiale po e redifinon aspektin e mbrojtjes, por edhe sjelljen e vendimeve.”, - deklaroi themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Konferencës së Sigurisë, Ardian Ismaili.
“Siguria gjithnjë e më shumë po varet nga kapacitetet dhe e mundësisë që shpejt të adoptohemi në rreziqet e reja. Inteligjenca artificiale ka një rol të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, terrorizmit, larjes së parave, tregtia me qeniet njerëzore dhe krimi kibernetik.”, - theksoi zëvendësministri i MPB-së, Astrit Iseni.
Në aktivitetin ndërkombëtar, me fjalimet e tyre, morën pjesë edhe përfaqësues nga vendi, Zvicra, Shqipëria, Finlanda, Katari, Republika Çeke, Bullgaria, Turqia dhe vende të tjera.
“Siguria nuk është tanimë vetëm mbrojtja fizike e shteteve dhe e njerëzve, por ajo po zgjerohet në infrastrukturë, në kibernetikë dhe stabilitetin financiar. Për këtë qëllim, BE-ja vazhdimisht po përmirëson ligjet për mbrojtje më të fuqishme.”, - u shpreh zëvendëskryetari i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, Ben Nupnau.
“Incidentet kibernetike kanë ndikim të madh në shërbimet kritike, ndërsa dezinformatat humbin besimin e opinionit, ndërsa zhvillimet ekonomike kanë pasoja politike dhe sociale, kurse stabiliteti i shoqërive po varen nga gatishmëria për t’u përballë me kërcënimet e tilla.”, - theksoi zëvendës-ushtruesja e Misionit të OSBE-së, Susan Penksha.
Sipas organizatorëve, përmes përfshirjes së institucioneve përkatëse, ekspertëve vendas dhe të huaj, qëllimi është pozicionimi i Shkupit si një platformë rajonale për dialog strategjik mbi sigurinë, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin.
FITIM KRYEZIU
