Maqedoni

Politikë, VMRO-DPMNE dhe LSDM me akuza të ndërsjella

19.06.2026 14:18

Përplasjet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së janë intensifikuar me akuza të ndërsjella për dëmtim të interesave shtetërore...

Përplasjet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së janë intensifikuar me akuza të ndërsjella për dëmtim të interesave shtetërore, menaxhim të dobët ekonomik dhe bllokim të perspektivës evropiane të vendit. Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE, akuzoi kreun e LSDM-së, Venko Filipçe, se po vazhdon politikat e ish-kryeministrit Zoran Zaev ndaj Bullgarisë, duke pretenduar se ai pranon pa kushte kërkesat bullgare dhe është i gatshëm për lëshime në çështjet e identitetit, gjuhës, kulturës dhe historisë maqedonase për të ardhur në pushtet. Sipas tij, pushteti fitohet nga qytetarët në zgjedhje dhe jo përmes mbështetjes së shteteve të huaja.
 
“Për Filipçen nuk ekzistojnë vija të kuqe kur bëhet fjalë për identitetin, gjuhën, kulturën dhe historinë. Ai do t’ia jepte ato Bullgarisë pa u menduar fare, vetëm për pushtet. Prandaj, thuhet se është shndërruar në një pion të Radevit dhe deklaron se identiteti kombëtar maqedonas nuk është i rrezikuar nga ultimatumat bullgare, të cilat pretendojnë se historia është e përbashkët, gjuha maqedonase është dialekt i bullgarishtes dhe se revolucionarët maqedonas që luftuan për një Maqedoni autonome dhe të pavarur kanë qenë bullgarë. Filipçe, në pushtet në Maqedoni nuk të sjellin shtetet e huaja, por qytetarët maqedonas përmes votës në zgjedhje, dhe po ata të dërgojnë në opozitë të thellë, në margjinat e skenës politike, aty ku je tani.”, - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga ana tjetër, LSDM-ja kritikon ashpër Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski për gjendjen ekonomike dhe ngadalësimin e procesit të integrimit evropian. Sipas opozitës, vonesat në rrugën drejt Bashkimit Evropian po i kushtojnë vendit miliarda euro në fonde dhe grante të humbura, ndërsa Qeveria po shmang reformat e nevojshme dhe po përqendrohet në mesazhe populiste.
 
"Ne nuk do t’i shërbejmë Mickoskit si alibi për zgjedhje të parakohshme. Nga ne nuk do ta marrë këtë. Do të shohim se kush nga e ashtuquajtura opozitë, nga satelitët e VMRO-së, do të përdoret për ta thirrur në zgjedhje të parakohshme. Skenari ekziston, aktorët me pasaporta bullgare i njohim, ndërsa regjisorin “patriot” me orë të shtrenjta e njohim tepër mirë. Mickoski dëshiron zgjedhje të parakohshme, sepse nuk ka rezultate dhe po i mbarojnë edhe paratë. Ai kërkon zgjedhje, sepse dëshiron t’i mbijetojë kolapsit politik që e ka shkaktuar vetë.".
 
LSDM-ja vlerëson se deklarata e Mickoskit se qytetarët duhet të “përgatiten për maratonë” është tregues se vendi po përballet me vështirësi të zgjatura ekonomike, ndërsa VMRO-DPMNE-ja vazhdon të akuzojë opozitën për politika që, sipas saj, kanë rrezikuar interesat kombëtare dhe identitetin maqedonas. 
 
FLORIJE KAMBERI