Maqedoni

KShPK miraton strategjinë 2026 – 2030, 3.5 milionë euro për luftë kundër korrupsionit

19.06.2026 15:19

KShPK e miratoi njëzëri Strategjinë e re Kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit 2026 - 2030...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit e miratoi njëzëri Strategjinë e re Kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit 2026 - 2030, një dokument që parashikon 113 masa dhe 388 aktivitete për uljen e rreziqeve të korrupsionit në sektorë kyç si prokurimet publike, drejtësia, transporti, shëndetësia, planifikimi urban dhe energjetika. Kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul, njoftoi se dokumenti do t’i dërgohet Kuvendit për procedurë të mëtejshme. Sipas tij, strategjia është rezultat i një procesi të gjerë konsultativ në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve, sektorit civil, komunitetit të biznesit, mediave dhe partnerëve ndërkombëtarë.
 
“Zbatimi i strategjisë do të kushtojë gjithsej 216.914.000 denarë, përkatësisht 3.5 milionë euro. Sipas metodologjisë për vlerësimin e implikimeve fiskale të aktiviteteve të strategjisë kombëtare, vlerësimi fiskal i aktiviteteve përfshin llogaritjen e mjeteve financiare të nevojshme për realizimin e aktiviteteve, të cilat nuk janë të përfshira në buxhetin e ardhshëm të institucioneve dhe në funksionimin e tyre të rregullt.”, - deklaroi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul.
 
“Në fokus do të jenë forcimi i kapaciteteve, koordinimi ndërmjet institucioneve kompetente për zbulimin, ndjekjen penale dhe sanksionimin e korrupsionit në prokurimet publike, si dhe forcimi i kontrollit në prokurimet publike përmes raportimit në kohë dhe ndjekjes së parregullsive të raportuara.”, - theksoi anëtarja e KShPK-së, Biljana Karagashova Sholev.
 
“Së pari, pavarësia dhe autonomia e sistemit të drejtësisë, një politikë e përshtatshme ndëshkimore që ka efekt parandalues, në mënyrë që dënimi të rezultojë në parandalim të përgjithshëm dhe specifik, si dhe forcim i kapaciteteve për zbulimin në kohë, ndjekjen penale dhe sanksionimin e korrupsionit.”, - u shpreh anëtarja e KShPK-së, Sofia Spasova Medarska.
 
Nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit presin që kjo strategji të ndihmojë në luftimin më të efektshëm të korrupsionit, të rrisë përgjegjësinë e institucioneve dhe të forcojë besimin e qytetarëve në sistem.
 
ARMEND MURSELI