U anuluan negociatat ShBA – Iran, Izraeli vazhdon sulmet në Liban

19.06.2026 15:41

Negociatat ndërmjet ShBA-së dhe Iranit, të planifikuara të zhvillohen në Zvicër...

Negociatat ndërmjet ShBA-së dhe Iranit, të planifikuara të zhvillohen në Zvicër, janë shtyrë, njoftuan nga Ministria e Jashtme e Zvicrës. Shtëpia e Bardhë tha se deri te shtyrja e negociatave erdhi për shkak të rrethanave logjistike dhe se delegacioni amerikan mbetet i gatshëm për takim sapo të krijohen kushtet. Por, sipas raportimeve të medias libaneze “Al Mayadeen”, delegacioni negociator iranian anuloi në momentet e fundit udhëtimin drejt Zvicrës për shkak të zhvillimeve të fundit në jug të Libanit dhe operacioneve të vazhdueshme ushtarake izraelite në zonë. Ndërkohë, ShBA-ja dhe Irani kanë vazhduar me zbatimin e marrëveshjes. Ngushtica e Hormuzit është rihapur, ndërsa bllokada detare amerikane është hequr. 

 
“Plani i paqes i presidentit tashmë po jep rezultate të vërteta. 12.5 milionë fuçi naftë kaluan përmes Ngushticës së Hormuzit. Çmimet e benzinës ranë, ndërsa anijet po lëvizin sërish. Kjo është fitore për popullin amerikan dhe për presidentin e ShBA-së.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i ShBA-së, J.D. Vance. 
 
Lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, vlerësoi se marrëveshja është arritur “nga dëshpërimi”, por konfirmoi se e ka miratuar, pavarësisht “qëndrimit ndryshe”. Ai njëherësh porositi se Irani do të vazhdojë bisedimet vetëm nëse respektohen qëndrimet dhe interesat e tij.                    
 
“Nga ky moment e tutje negociatat ballë për ballë që do të zhvillohen në të ardhmen nuk do të nënkuptojnë pranimin e mendimit të armikut.”, - theksoi lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei.
 
Ndërkohë Hezbollahu e vlerësoi marrëveshjen si “fitore të vërtetë për Iranin”.
 
“Ky memorandum është një fitore e vërtetë për Iranin. Në rajon po ndodhin transformime të mëdha, ndërsa Libani është i prekur prej tyre.”, - u shpreh përfaqësuesi i lartë i Hezbollahut, Hasan Fadlallah.
 
Por, Izraeli mbetet në qëndrimin se nuk do të ketë tërheqje nga Libani përderisa ekziston kërcënimi nga militantët. Ushtria izraelite njoftoi se gjatë natës ka kryer sulme ndaj objektivave në jug të Libanit, ndërsa Hezbollah raportoi për përleshje intensive në zonë.
 
“Lufta ende nuk ka përfunduar. Duhet të mbetemi të vendosur në mbrojtjen e interesave tona të sigurisë.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ka shkaktuar reagime të forta pas një deklarate të tij në të cilën tha se “i gjithë Libani duhet të digjet”, pas njoftimit për vdekjen e katër ushtarëve izraelitë në jug të vendit. Presidenti amerikan Donald Tramp pret armëpushim të plotë në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.
 
“ShBA-ja është e përkushtuar ndaj paqes dhe i inkurajojmë të gjithë në rajon ta ruajnë përkushtimin e tyre, në mënyrë që negociatat të zhvillohen me sukses. Presim armëpushim të plotë në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, Hezbollahu dhe Izraeli.”, publikoi presidenti amerikan, Donald Tramp. 
 
Zyrtarët evropian nga ana tjetër thonë se po i ndjekin me kujdes zhvillimet, sa i përket implementimit të marrëveshjes ShBA-Iran. 
 
“Kemi kushte të qarta. Nëse kushtet e lejojnë dhe ka marrëveshje bërthamore, shtetet anëtare do të diskutojnë për sanksionet, por ende nuk kemi arritur deri aty.”, - deklaroi përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
 
“Nuk besoj se mund të themi se gjithçka ka përfunduar plotësisht. Askush, e sidomos Franca, nuk dëshiron që Irani të pajiset me bombë bërthamore.”, - theksoi presidenti i Francës, Emanuel Makron. 
 
Pas nënshkrimit të marrëveshjes online mes presidentëve të ShBA-së dhe Iranit, tregjet botërore reaguan pozitivisht dhe çmimet e naftës shënuan rënie për shkak të hapjes së Ngushticës së Hormuzit dhe stabilizimit të furnizimit me derivate. Por, çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit menjëherë mbi 80 dollarë për fuçi, pas anulimit të bisedimeve të planifikuara ShBA-Iran dhe sulmeve të reja izraelite në Liban.
 
GYLTENE SINANI