Rikonstruimi i Qeverisë, sot dhe nesër takime mes partnerëve të koalicionit
19.06.2026 16:05
Kryeministri Mickoski ka nisur konsultimet me partnerët e koalicionit VLEN dhe “E di

Kryeministri Mickoski ka nisur konsultimet me partnerët e koalicionit VLEN dhe “E di”, për rikonstruimin e Qeverisë, të cilat do të zgjasin deri të shtunën. Nga kabineti i kryeministrit thonë se bisedimet janë në fazë të hershme dhe pasi bëhet fjalë për një proces të ndjeshëm që kërkon qasje serioze dhe të përgjegjshme, në këtë moment nuk do të japin detaje shtesë. Ato do t’i bëhen publike opinionit pasi të jetë arritur marrëveshja konkrete me partnerët dhe të përcaktohen zgjidhjet.
Nga kabineti i kryeministrit njëherësh theksojnë se mbetet pozicion i pandryshuar dhe parim i qartë i Mickoskit, që e prezantoi në shënimin e 36-vjetorit të VMRO-DPMNE-së në Strumicë, se nuk është i kënaqur nga dukuritë te një pjesë e funksionarëve që po largohen nga parimet mbi të cilat është formuar Qeveria. Ai theksoi se deri tek ai arrijnë vërejtje për qasje të pamjaftueshme të një pjese të ministrave dhe drejtorëve, si dhe për largim nga problemet dhe nevojat e përditshme të qytetarëve. Prandaj kryeministri Mickoski tha se nuk do të tolerojë pakujdesi, papërgjegjësi dhe shmangie nga parimet mbi të cilat bazohet puna e Qeverisë, pa marrë parasysh funksionin që dikush ushtron.
“Të gjitha devijimet i evidentoj me saktësi dhe do të ketë ndryshime. Këto ndryshime duhet t’i përmirësojnë kapacitetet dhe të japin maksimumin nga secili individ. Dua që secili prej jush të mbetet i përkushtuar ndaj popullit, i qasshëm dhe i ndershëm.”, ka porositur kryeministri Mickoski, duke shtuar se nuk pranon arsyetime për mosrealizimin e obligimeve dhe se secili që nuk mund t’u përgjigjet sfidave duhet me ndershmëri ta rishqyrtojë vendin e tij në ekip.
Ajo që tanimë dihet është se pjesë e Qeverisë nuk do të jetë ministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetahu, i cili ka dhënë dorëheqje. Ndërsa nuk dihet fati i ministrit të Politikës Sociale dhe Rinisë, Fatmir Limani, për të cilin partia që i përkiste, VLEN, ka njoftuar se ai nuk është më pjesë e saj.
FLORIJE KAMBERI
