Selmani: Propozim-ligji për përfaqësim ka shumë mangësi
Selmani ka kritikuar propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat...

Profesori universitar Bashkim Selmani, ka kritikuar propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili ditë më parë është miratuar në fazën e parë nga Kuvendi. Sipas tij, propozim-ligji nuk përmban pjesën më elementare, përfaqësimin prej 20%. Ai njëherësh thekson se ka institucione, ku shqiptarët nuk janë të përfaqësuar fare.
“Shikuar në prizmin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, ne kemi theksuar se ky ligj nuk përmban pjesën më elementare, kur dihet se të drejtat e kombësive apo komuniteteve që jetojnë në kornizën juridike, në këtë rast vlerësojmë se ky ligj nuk e paraqet të drejtën ekskluzive të përfaqësimit sa i përket 20 për qindëshit. Po ashtu, ka të bëjë drejt për së drejtë me shumë paqartësi, qoftë në mënyrën e incizimit të institucioneve brenda shtetit, për shkak se në radhë të parë ende ka mjaft institucione që janë aspak të prekura. Po ashtu, nuk është i qartë në çështjen e avancimeve. Ka të bëjë me administrimin e përfaqësive të ambasadave, siç janë ambasadorët, siç janë konsujt dhe të tjerë. Pjesa tjetër, paralelisht, doja të theksoja se ky ligj duhet të ketë një trup të veçantë, jo të jetë i përfaqësuar nga zëvendëskryeministri dhe institucionet e tjera ose personat që janë bartës të funksioneve publike, por duhet detyrimisht të përfshijë një komision profesional, të pavarur, që do të veprojë drejtpërdrejt. Për sa i përket nenit 3, 4 dhe gjithë rrethanave që kanë të bëjnë, ka shumë paqartësi apo amulli, të cilat ne nuk mund t’i shohim drejtpërdrejt pa e bërë leximin e gjendjes faktike, se sa institucionet janë të paprekura nga përfaqësimi i drejtë dhe adekuat dhe kjo e bën edhe më të vështirë, pasi nuk parashihet funksionimi i çështjeve sanksionuese, edhe ato pak pjesë janë shumë minore ose aspak.”, - deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
