Rajon
Elezi: KQZ-ja ka përmbyllur procesin e numërimit
19.06.2026 16:24
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka përmbyllur procesin e numërimit të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit..

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka përmbyllur procesin e numërimit të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit, përfshi edhe rinumërimin e 185 vendvotimeve dhe teknikisht është i gatshëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tashmë janë në pritje të ankesave eventuale nga pjesëmarrësit në zgjedhje, brenda afatit prej 48 orësh, para se komisioni të mund të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare.
“Sa i përket rezultateve përfundimtare, me qenë se sot kemi përfundimin e administrimit të fletëvotimeve nga këto 185 vendvotime, atëherë ju e dini se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, të gjitha subjektet politike dhe kandidatët mund të parashtrojnë ankesa lidhur me administrimin që është zhvilluar gjatë këtyre ditëve. Afati i fundit për paraqitjen e ankesave për administrimin, duke filluar nga dita e sotme si dita e fundit e administrimit, është 48 orë, duke llogaritur nga ora 12:00 e ditës së sotme. Se a do të ndikojë kjo në kohën e shpalljes së rezultateve përfundimtare, për momentin nuk mund të jap një përgjigje sepse kjo është rruga që ndiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e përcaktuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore përkatëse.”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
