Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë: Shkupi me qendër për ndihmë të shpejtë

19.06.2026 17:07

Me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria miratoi informacionin për themelimin e Qendrës për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore në Shkup....

Me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria miratoi informacionin për themelimin e Qendrës për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore në Shkup. 
 
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, kjo qendër ka për qëllim krijimin e një sistemi më efikas dhe më të qëndrueshëm të reagimit urgjent mjekësor, shkurtimin e kohës së intervenimit dhe përmirësimin e kapaciteteve për shpëtimin e jetëve njerëzore.
 
“Veçimi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore paraqet një reformë të rëndësishme sistemore, e orientuar drejt forcimit të pavarësisë organizative dhe operative të shërbimit. Me themelimin e Qendrës për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore do të mundësohet menaxhim më efikas i resurseve, planifikim i veçantë buxhetor, marrje më e shpejtë e vendimeve dhe përmirësim i reagimit ndaj thirrjeve urgjente.”, citohet të ketë deklaruar ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Në fazën e parë parashihet veçimi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore në Shkup si institucion i pavarur, pas së cilës gradualisht do të vijojë integrimi i shërbimeve të tjera në kuadër të Qendrës së ardhshme për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore. Reforma bazohet në përvojat pozitive të vendeve të rajonit, ku ndihma e shpejtë mjekësore është e organizuar si strukturë institucionale e pavarur, gjë që mundëson koordinim më të mirë të ekipeve, shfrytëzim më efikas të resurseve dhe vendosjen e standardeve të unifikuara për punë dhe zhvillim profesional, thuhet në njoftimin e ministrisë.