Maqedoni
RMV-ja, nikoqire e takimit vjetor të bordit të CEF-it
22.06.2026 14:13
Maqedonia e Veriut është nikoqire e Forumit dhe Takimit Vjetor të Bordit Drejtues të Qendrës për Përsosmëri në Financa (CEF) për vitin 2026...

Maqedonia e Veriut është nikoqire e Forumit dhe Takimit Vjetor të Bordit Drejtues të Qendrës për Përsosmëri në Financa (CEF) për vitin 2026, i dedikuar menaxhimit në kushte të pasigurisë dhe ndërtimit të institucioneve të forta. Ngjarja vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e financave publike.
“Këtë vit kemi punuar së bashku me Ministrinë e Financave dhe me ministren Gordana Dimitrieska Koçoska. Jam shumë mirënjohëse për lidershipin dhe mbështetjen që kemi marrë prej saj. CEF është një organizatë ndërkombëtare me seli në Slloveni, përkatësisht në Lubjanë. Ajo ka shumë shtete anëtare nga e gjithë Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Ne i mbështesim vendet anëtare të CEF-it në forcimin e kapaciteteve të tyre për menaxhimin e financave publike.", - deklaroi drejtoresha e Qendrës së Ekselencës në Financë CEF, Jana Repanshek.
Tashmë është hapur edhe Akademia e parë për Financa Publike pranë Ministrinë e Financave, e cila që nga ky vit ka nisur me trajnimin e të punësuarve jashtë vendit. Një numër i madh i të punësuarve në fushën e financave po trajnohen në Lubjanë, tha ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
"Qëllimi është që e gjithë përvoja që fitohet në trajnimet në Lubjanë të përcillet te të punësuarit në administratën publike. Gjatë këtyre dy viteve, që prej kur jam ministre e Financave, kemi vërejtur se institucione të caktuara përballen me mungesë të kuadrit të trajnuar, veçanërisht në fushën e financave, planifikimit buxhetor dhe revizionit të brendshëm. Kemi sfida të mëdha që duhet t’i tejkalojmë dhe kjo do të bëhet përmes Akademisë për Financa Publike.", - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ky institucion është shumë i rëndësishëm për shtetin, pasi ndihmon në analizimin e financave publike dhe forcimin e politikave financiare.
"Për ne si shtet, ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm dhe ky institucion ka një rol të veçantë, sepse bën analiza të qarta në fushën e financave publike, i identifikon të gjitha dobësitë dhe njëkohësisht ofron shërbime në fushën e trajnimeve. Për ne, të gjitha këto përvoja paraqesin një vlerë të shtuar në krijimin e politikave në fushën e financave.", - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Në takimin në Shkup morën pjesë përfaqësues të vendeve anëtare të CEF-it, si dhe përfaqësues të bankave qendrore dhe ministrive të financave të tyre, ku u diskutua dhe u debatua për forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e ekspertizës dhe mënyrat për t’u përballur me sukses me sfidat globale që po shfaqen vazhdimisht në nivel botëror.
REXHEP QAMILI
