Maqedoni
Kryeparlamentari Gashi të martën do të takojë kolegen bullgare, Dotsova
22.06.2026 14:41
Gashi nesër në Sofje do të zhvillojë takim bilateral me Milçeva Dotsovan.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, nesër në Sofje do të zhvillojë takim bilateral me kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Mihaela Milçeva Dotsova. Takimi është parashikuar të mbahet në margjinat e Konferencës së Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore, ku Gashi do të mbajë po ashtu edhe një fjalim. Në brifingun me gazetarët, Gashi informoi se temë e bisedimeve do të jetë bashkëpunimi ndërparlamentar, duke shpresuar se do të krijohet një komunikim më i mirë mes dy parlamenteve, i cili deri tani ka qenë i vështirë për shkak të mosmarrëveshjeve të shpeshta në Bullgari, pavarësisht përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut. Sa i përket çështjes së ndryshimeve kushtetuese, ai nënvizoi se do t’i përsërisë qëndrimet e njohura të shtetit, të cilat, siç tha, janë jo vetëm qëndrime shtetërore, por edhe personale. Ai shtoi se për shkak të situatës politike në Bullgari dhe zgjedhjeve të shpeshta atje, nuk ka pasur mundësi të vendoset një komunikim të qëndrueshëm mes dy parlamenteve, por se tani synohet një fillim i ri me përbërjen e re parlamentare.
“Duhet të bisedojmë, duhet të ecim përpara, të gjejmë një mënyrë se si të jemi bashkë në BE. Mendoj se e ardhmja duhet të na bashkojë e jo e kaluara, prandaj vij me mendim pozitiv dhe dua të marr pjesë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona dhe dy parlamenteve.”, theksoi kryeparlamentari Gashi.
Ai njëherësh informoi gjithashtu se në takimin në Sofje tashmë ndodhen dy deputetë, të cilëve ai do t’u bashkohet nesër. I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, Gashi tha se ai gjithmonë ka qenë për zgjedhje të rregullta, edhe kur ka qenë në opozitë, pasi, sipas tij, vendit i nevojitet stabilitet politik megjithatë për këtë vendos shumica parlamentare. Kryetari i Kuvendit gjithashtu informoi për aktivitetet aktuale në Kuvend, duke theksuar se dy seancat e ardhshme janë të rezervuara për interpelancën ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe për pyetje deputetësh. Po ashtu, planifikohet të thirret edhe një seancë e veçantë për agjendën e reformave.
REXHEP QAMILI
