Bisedimet ShBA - Iran në Zvicër, ndërmjetësit njoftuan për përparim në bisedime
22.06.2026 15:43
Dita e parë e bisedimeve midis zyrtarëve të lartë nga ShBA dhe Irani përfundoi në Zvicër...

Pavarësisht fillimit të tensionuar, dita e parë e bisedimeve midis zyrtarëve të lartë nga Uashingtoni dhe Teherani përfundoi në Zvicër, përfundoi me përparim inkurajues. Në një deklaratë të përbashkët të ndërmjetësuesve të Katarit dhe Pakistanit thuhet se ShBA-ja dhe Irani janë pajtuar për një plan që synon arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditësh. Bisedimet teknike mes zyrtarëve të niveleve më të ulëta do të vazhdojnë deri në fund të javës, ndërsa luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, do të jenë në krye të agjendës. Në deklaratën e përbashkët thuhet se ShBA-ja dhe Irani janë pajtuar të vendosin një “linjë komunikimi” për të shmangur incidentet në Ngushticën e Hormuzit dhe të formojnë një bërthamë për de eskalim me qeverinë libaneze për të siguruar respektimin e ndërprerjes së operacioneve ushtarake në Liban.
“Ndërmjetësimi i palodhur i Pakistanit dhe Katarit solli përparim të rëndësishëm drejt përfundimit të luftës në Liban. Kufizimet për eksportin e naftës dhe produkteve petrokimike janë hequr, bllokada është larguar, një pjesë e mjeteve të ngrira janë liruar, ndërsa ka nisur një plan i madh për rindërtimin dhe zhvillimin e Iranit. Testi i parë i vërtetë, formimi i një grupi koordinues për deeskalim në Liban.”, shkroi ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abas Aragçi.
Ndërkohë Izraeli mbetet i palëkundur në qëndrimin se Irani kurrë nuk do të pajiset me armë bërthamore dhe se nuk do t’i tërheqë forcat e tij nga Libani jugor.
“Pavarësisht se çfarë do të ndodhë në bisedime, ju premtoj se Irani, për aq kohë sa unë jam kryeministër, kurrë nuk do të ketë armë bërthamore. Ne kemi vendosur një zonë sigurie në Liban dhe do ta mbajmë atë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për ta mbrojtur popullin tonë.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Nga ana tjetër, Hezbollahu theksoi se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje armëpushimi që i jep Izraelit “liri veprimi” në Liban.
“Le ta kuptojnë izraelitët dhe të gjithë të tjerët këtë, qëndrimi në territorin libanez është i pamundur. Nuk do të ketë zona izraelite sigurie në tokën libaneze. Çdo armëpushim nën titullin ndalim gjithëpërfshirës i agresionit është diçka ndaj së cilës tashmë jemi të përkushtuar, por nuk do të pranojmë asnjë shkelje të tij.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Kasem.
Megjithëse bisedimet kryesore ku morën pjesë zëvendëspresidenti amerikan Vance dhe negociatori kryesor iranian Mohamad Bager Ghalibaf u shpallën të përfunduara, zyrtarët e niveleve më të ulëta do të qëndrojnë në resortin zviceran Birgenshtok për të vazhduar diskutimet teknike. Gjatë fundjavës, Irani njoftoi se kishte rikthyer bllokadën në Ngushticën e Hormuzit në shenjë proteste ndaj sulmeve të vazhdueshme izraelite mbi Libanin dhe se Trampi po i lejon Izraelit të shkelë Memorandumin e Mirëkuptimit. Megjithëse ushtria amerikane mohoi se ngushtica ishte mbyllur, ndërsa presidenti Tramp reagoi ashpër duke kërcënuar me vazhdimin e bombardimeve. Presidenti amerikan gjithashtu iu referua situatës në Liban, duke shkruar në rrjetet sociale se Irani duhet menjëherë t’i ndalojë ndërmjetësuesit e tij shumë të paguar në Liban që të shkaktojnë probleme.
Mediat shtetërore iraniane njoftuan se bisedimet ishin ndërprerë pas “publikimit të një mesazhi fyes nga presidenti amerikan”. Më pas delegacioni iranian u takua me ndërmjetësuesit nga Katari dhe u largua nga vendi i negociatave. Por më vonë një diplomat i lartë amerikan deklaroi se iranianët kishin mbetur në vendin e bisedimeve dhe se negociatat po vazhdonin. Pas progresit të arritur, ndërmjetësuesit vlerësojnë se përparimi i arritur hap hapësirë për dialog të mëtejshëm dhe stabilitet më të madh rajonal, ndërsa në tregjet botërore çmimi i naftës po shënon rënie për shkak të sinjaleve për ulje të tensioneve.
GYLTENE SINANI
