VLEN kërkon hetim për Ejup Rustemin

22.06.2026 15:46

Vlen ka kërkuar që të hapet menjëherë lëndë dhe të verifikojë informacionet e publikuara në opinion lidhur me punën e ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi...

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka kërkuar nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të hapë menjëherë lëndë dhe të verifikojë informacionet e publikuara në opinion lidhur me punën e ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi. Elmazi tha se kanë kaluar tre ditë që nga publikimi i informacioneve, sipas të cilave Rustemi dyshohet se ka ushtruar presion ndaj një kompanie të madhe evropiane për prodhimin e gardheve mbrojtëse që të mos marrë pjesë në tenderë në Maqedoninë e Veriut, duke i hapur rrugë një kompanie nga Serbia.
 
“Edhe më e rëndë është se bëhet fjalë për gardhe mbrojtëse. Këto nuk janë zbukurime rruge. Këto janë pajisje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë në rrugë dhe me jetën e njerëzve. Nëse siguria e qytetarëve është vënë në pazar që tenderi t’i shkojë një kompanie serbe, atëherë a duhet të presim tragjedi të reja si ajo e Llaskarcës, që institucionet më në fund të zgjohen? Nëse Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit hesht përballë këtyre informacioneve serioze, atëherë pyetja që lind vetvetiu është e thjeshtë. A e di Islam Abazi se Prokuroria duhet të veprojë edhe sipas zërit publik, apo pret të dëgjojë çfarë do t’i thotë Ali Ahmeti? Prandaj kërkojmë nga Islam Abazi që menjëherë të hapë lëndë dhe t’i verifikojë të gjitha informacionet që lidhen me furnizimet publike, gardhet mbrojtëse dhe shumat milionëshe që po përmenden në opinion.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi.
 
Rustemi: Akuzat e VLEN-it tërësisht të pavërteta
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, i cili pretendimet e VLEN-it i vlerëson si “tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe pa asnjë mbështetje faktike apo të dokumentuar”.
 
“Pretendimet e paraqitura janë tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë fakt apo dokument zyrtar. E vërteta është se gjatë periudhës sa kam ushtruar funksionin e drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore nuk është zhvilluar asnjë procedurë tenderuese për furnizim me gardhe mbrojtëse nga kjo ndërmarrje.”, thuhet në reagimin e Rustemit. 
 
Ai thekson se, për pasojë, nuk ka ekzistuar asnjë procedurë ku mund të ishte favorizuar apo diskriminuar ndonjë kompani.
 
“Për rrjedhojë, nuk ka ekzistuar asnjë tender në kuadër të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore ku mund të jetë favorizuar, përjashtuar apo diskriminuar ndonjë kompani. Kur nuk ka pasur procedurë tenderuese nën kompetencën e institucionit që kam drejtuar, nuk mund të ketë as ndikim, as presion dhe as përgjegjësi nga ana ime.”, thekson Rrustemi.
 
Ai shpreh shqetësim të veçantë për, siç thotë, përpjekjet për të krijuar perceptimin se veprimet e tij kanë rrezikuar sigurinë e qytetarëve. Rustemi po ashtu akuzon VLEN-in për përdorim politik të akuzave dhe përhapje të dezinformatave me qëllim diskreditimin e tij. 
 
“Shpreh keqardhje që për interesa të ngushta politike po hidhen në opinion akuza të rënda pa asnjë bazë faktike, duke tentuar të njolloset emri dhe integriteti im përmes insinuatave dhe dezinformatave. Edhe më shqetësues është fakti që çështje që lidhen me sigurinë e qytetarëve po përdoren për sulme politike dhe për diskreditim personal.”, thuhet në demantin e Rustemit, i cili u bën thirrje publike përfaqësuesve të VLEN-it, që të paraqesin prova për akuzat e tyre ose të kërkojnë falje publike.