Qeveria ultimatum zinxhirit tregtar: Ulni çmimet ose ju presin masat qeveritare

22.06.2026 15:47

Mickoski tha se gjatë ditës së hënë në Qeveri do të mbahet një takim me përfaqësuesit e gjithë zinxhirit tregtar...

Qeveria u jep ultimatum marketeve, distributorëve dhe prodhuesve, “ose ulni çmimet, ose do të përballeni me masa qeveritare”. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se gjatë ditës së hënë në Qeveri do të mbahet një takim me përfaqësuesit e gjithë zinxhirit tregtar, ku do të kërkojë uljen e menjëhershme të çmimeve, veçanërisht të produkteve bazë ushqimore. Sipas tij, kriza ka përfunduar, ndërsa qytetarët kanë treguar mjaftueshëm durim dhe mirëkuptim. Tani tha ai, është radha e bizneseve që ta dëshmojnë përgjegjësinë e tyre duke ulur çmimet. Mickoski theksoi se nuk do të pranojë asnjë justifikim për mosveprim dhe paralajmëroi se, nëse në ditët në vijim nuk do të ketë reagim nga marketet, distributorët dhe prodhuesit, Qeveria do të aktivizojë mekanizmat e saj dhe do të ndërmarrë masa.
 
"Kriza ka përfunduar. Qytetarët treguan durim dhe tolerancë,  tani është radha që kjo t’u kthehet atyre, duke filluar menjëherë me uljen e çmimeve të produkteve, veçanërisht të produkteve bazë ushqimore. Këtë е pres nga marketet, distributorët dhe prodhuesit. Si Qeveri kemi mekanizma për të vepruar nëse kjo nuk ndodh në mënyrë vullnetare. Nuk pranoj arsyetime dhe justifikime të tipit, nuk na i kanë rritur çmimet apo nuk na i kanë ulur çmimet, e të ngjashme. Nëse në ditët në vijim nuk shihet reagim nga marketet, distributorët dhe prodhuesit, atëherë Qeveria do të reagojë.", - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski nuk specifikoi se sa pritet të ulen çmimet dhe cilat produkte do të pësojnë uljen më të madhe, por theksoi se korrigjimi i çmimeve të produkteve bazë ushqimore është i domosdoshëm. Ai paralajmëroi gjithashtu se Qeveria do të krahasojë çmimet e produkteve bazë me ato në vendet e rajonit dhe, nëse konstatohet se markete të caktuara mbajnë çmime të pajustifikuara, emrat e tyre do të publikohen në mënyrë transparente.
 
REXHEP QAMILI