Rikonstruimi i Qeverisë, Mickoski: Shqyrtohet edhe ndryshimi i resorëve

22.06.2026 15:49

Partitë e koalicionit qeveritarë vazhdojnë konsultimet për rikonstruimin e qeverisë...

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se bisedimet me partnerët e koalicionit qeveritar për rikonstruimin e Qeverisë po zhvillohen në një atmosferë konstruktive dhe se ndër opsionet që po diskutohen është edhe ndryshimi i disa resorëve. 
 
“Në bisedimet e para mund të them se mbizotëron një atmosferë konstruktive. Gjatë kësaj jave do të kemi përsëri takime. Pres që ato të jenë përfundimtare. Gjatë fundjavës të formalizohet e gjithë kjo, me emra dhe me specifikat e tjera përkatëse. Përndryshe, po, ekziston edhe mundësia e ndryshimit të resorëve (ministrive), po, edhe për këtë është diskutuar.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
VLEN: Nuk përjashtohen ndryshimet kadrovike
 
Edhe nga VLEN-i bëjnë të ditur se takimi i parë me kryeministrin është zhvilluar në një atmosferë konstruktive. Edhe ata nuk përjashtojnë mundësinë e ndryshimeve në resorë apo në përbërjen e funksionarëve qeveritarë.
 
“Realisht bashkëkryetarët, zotëri Mexhiti dhe zotëri Kasami, kanë pasur takim me kryeministrin e vendit. Ai ka qenë vetëm takim i parë, besoj ditëve në vijim do të ketë edhe takime tjera ku do të kemi edhe informacione shtesë. D.m.th. edhe nga partia VLEN, edhe nga partnerët e koalicionit të Qeverisë, ka data baza të mirëfillta për çdonjërin funksionar, i cili ka ushtruar veprimtari apo ka udhëhequr institucion me të dhëna të sakta dhe të njëjtat do të diskutohen brenda për brenda koalicionit. Nuk është asgjë çudi nëse ndërrohen edhe dikasteret ose ndonjëri prej funksionarëve e lëshon pozitën që ka.”, - theksoi Muhamed Elmazi nga VLEN.
 
LSDM: Rikonstruimi duhet të fillojë nga kryeministri
 
Ndërkohë, nga LSDM deklarojnë se për një rikonstruim të vërtetë të Qeverisë, procesi duhet të nisë fillimisht me kryeministrin.
 
“Kjo qeveri nuk mund të reformohet. Ajo mund vetëm të maskohet. Dhe pikërisht këtë po bën tani, me ministra të rinj nga e njëjta “koalicion tenderësh”, me të njëjtat praktika kriminale dhe me të njëjtën politikë që po e çon Maqedoninë në izolim dhe varfëri. Qytetarët nuk duan ministra të rinj, ata duan fund të tenderëve kriminalë, fund të gënjeshtrave dhe fund të politikës që po e shkatërron shtetin. Kjo qeveri mund të përjetojë reformë vetëm kur të reformohet sistemi i drejtësisë, kur të ketë prokurori evropiane dhe kur përgjegjësit të mbajnë llogari për krim dhe korrupsion.”, - thanë nga LSDM.
 
Ditëve në vijim pritet të vazhdojnë konsultimet mes partnerëve të koalicionit, ndërsa deri më 1 korrik propozimi për ristrukturimin e Qeverisë pritet t’i dorëzohet Kuvendit. Ende nuk janë bërë publike emrat e zyrtarëve që mund të preken nga ndryshimet, por sipas Mickoskit po shqyrtohen disa variante, ndërsa në ekzekutiv nuk do të ketë vend për të pa suksesshmit dhe ata që nuk kanë qenë të kapshëm për qytetarët.
 
ARMEND MURSELI