Botë

ShBA-ja dhe Irani me grupe pune për armët bërthamore dhe ekonominë

23.06.2026 13:13

ShBA-ja dhe Irani ranë dakord për vazhdimin e negociatave përmes formimit të grupeve punuese për sanksionet...

ShBA-ja dhe Irani ranë dakord për vazhdimin e negociatave përmes formimit të grupeve punuese për sanksionet, çështjen bërthamore dhe bashkëpunimin ekonomik. Zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, pas bisedimeve teknike në Zvicër, konfirmoi se është arritur marrëveshje për një mekanizëm për ngushticën e Hormuzit, si dhe për rritjen e transparencës lidhur me programin bërthamor iranian.
 
“Iranianët po u lejojnë inspektorëve të armëve, inspektorëve bërthamorë, hyrje në vendin e tyre për herë të parë pas një kohe të gjatë. Natyrisht që do t’i forcojmë ato inspektime për t’u siguruar që ata kurrë të mos kenë armë bërthamore.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i ShBA-së, J. D. Vance.
 
Ndërkohë, ShBA-ja i ka zbutur përkohësisht sanksionet ndaj sektorit energjetik iranian. Nuk ka munguar edhe paralajmërimi i presidentit amerikan Tramp se do të reagojë nëse Teherani nuk i respekton marrëveshjet.
 
“Do të shohim si do të ecë, kemi dy gjëra, një ngushticë të hapur dhe një shtet që kurrë nuk do të ketë armë bërthamore. Por, nëse Irani nuk e respekton marrëveshjen e tij ose nëse nuk sillet mirë, do ta bëj atë që duhet ta bëj.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Edhe presidenti iranian pezeshkian insiston për zbatim të përpiktë të obligimeve, përfshi paqen në Liban.
 
“Përparimi në këtë proces do të matet me respektimin konkret të obligimeve të dakorduara. Deklaratat që shkojnë përtej tekstit të dakorduar nuk kontribuojnë në përparimin e negociatave.”, - u shpreh presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian.
 
Por, Izraeli mbetet në qëndrimin se nuk do të tërhiqet nga Libani, aq sa të jetë e nevojshme për sigurinë e Izraelit.
 
“Qëndroj fuqishëm në qëndrimin se do të mbetemi në zonën e sigurisë në jug të Libanit për aq kohë sa është e nevojshme për t’i mbrojtur banorët e veriut.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Por, autoritetet iraniane thonë se nuk do të heqin dorë nga sovraniteti dhe integriteti territorial i Libanit.
 
“Nuk do të heqim dorë nga integriteti territorial dhe sovraniteti kombëtar i Libanit. Shpresoj që në këto bisedime ta zgjidhim këtë çështje dhe nuk do të lëshojmë pe deri në zgjidhjen përfundimtare.”, - theksoi negociatori i delegacionit iranian, Mohamad Bager Kalibaf.
 
Hezbollahu nga ana tjetër kërcënoi se do t’i përgjigjet çdo shkeljeje izraelite të marrëveshjes. Ndërkohë, në një rundë të ri negociatash në Uashington mes Izraelit dhe Libanit, synohet marrëveshje për respektimin e armëpushimit dhe arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë të sigurisë.
 
GYLTENE SINANI