Maqedoni

Memedi: Në Klinikën e Fëmijëve është ulur vdekshmëria

23.06.2026 13:38

Në Klinikën e Fëmijëve në Shkup në dy vitet e fundit vdekshmëria ka shënuar rënie për 300 për qind...

Në Klinikën e Fëmijëve në Shkup në dy vitet e fundit vdekshmëria ka shënuar rënie për 300 për qind, duke shënuar shkallën më të ulët të vdekshmërisë në histori të institucionit, informon drejtori Rexhep Memedi. Sipas tij, ndër vite shkalla e vdekshmërisë ishte 1.17-1.54%, ndërkohë që në vitin 2025 kjo përqindje ka rënë në 0.51 për qind ose 39 vdekje. Ai tha se shkalla e vdekshmërisë për 3 mujorin e parë të vitit 2026 është më e ulëta në 17 vitet e fundit dhe dy herë më e ulët se në vitin 2025, duke shënuar vetëm 0.27 për qind.
 
“Kjo rënie e theksuar e shkallës së vdekshmërisë, si një parametër kryesor i cilësisë së shërbimeve mjekësore, është rezultat i përkushtimit të përbashkët ekipor dhe angazhimit 24 orë në ditë të ekspertëve më të mirë të Pediatrisë dhe të të gjithë stafit mjekësor dhe jo-mjekësor të Klinikës së Fëmijëve. Këto rezultate pozitive në dy vitet e fundit janë fryt edhe i përmirësimit të kushteve në Klinikë - më shumë se 24 projekte kapitale dhe qindra masa të ndërmarra e aktivitete tjera - me rëndësi jetike për Klinikën dhe shëndetin e fëmijëve, të realizuara në këto 24 muaj mandat, si dhe fryt i punësimit dhe angazhimit të stafit të ri mjekësor, administrativ dhe teknik, kuptohet edhe edukimit e trajnimit të vazhdueshëm të tyre.”, - deklaroi drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi.
 
Memedi: Klinika e Fëmijëve ka mungesë infermieresh
 
Drejtori Memedi njëherësh tha se klinika ka mungesë infermierësh, dhe se të gjitha repartet kanë një frekuencë të madhe pacientësh nga e gjithë vendi.
 
"Meqenëse nuk mundëm të organizonim punën me ndërrime  me kryeinfermierin, të organizonim një orar për kujdestaritë, u detyruam t'i bashkonim përkohësisht dy repartet, në mënyrë që të kishim infermierë në dispozicion për të mbuluar kujdestaritë. Bëhet fjalë për Imunologjinë  dhe Pulmonologjinë  A. Repartet  nuk janë shfuqizuar, është një zgjidhje e përkohshme për të kaluar këtë periudhë kur nuk kemi staf të mjaftueshëm.”, - theksoi drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi.
 
Memedi po ashtu potencoi se pavarësisht kapacitetit të reduktuar për të pranuar fëmijë në spital, asnjë pacient nuk refuzohet. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI