Maqedoni
Perinski: Po ndërtohen themelet për komuna të zhvilluara
23.06.2026 14:14
Perinski ka deklaruar se gjatë dy viteve të fundit është ndryshuar qasja ndaj zhvillimit lokal...

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, ka deklaruar se gjatë dy viteve të fundit është ndryshuar qasja ndaj zhvillimit lokal, duke kaluar nga menaxhimi i pasojave drejt zgjidhjes së shkaqeve të problemeve me të cilat përballen komunat. Perinski theksoi se investimet më të mëdha janë realizuar përmes ciklit investues për mbështetjen e komunave, ku në kuadër të dy thirrjeve publike janë miratuar gjithsej 1.116 projekte infrastrukturore me vlerë prej 18.4 miliardë denarësh.
“Kjo është paketa më e madhe investuese për komunat në historinë më të re të Maqedonisë. Këto nuk janë vetëm shifra, por rrugë të reja, ujësjellës, kanalizime, shkolla dhe çerdhe të rikonstruktuara, objekte publike me efikasitet energjetik dhe kushte më të mira jetese për qytetarët në secilën komunë.”, - deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
Në fushën e fondeve evropiane dhe bashkëpunimit ndërkufitar, Perinski informoi se pesë programe IPA III për bashkëpunim ndërkufitar me vendet fqinje po zbatohen në mënyrë aktive.
"Gjëja më e rëndësishme që kemi bërë në dy vitet e fundit nuk janë vetëm numrat. Gjëja më e rëndësishme është se kemi ndryshuar qasjen - nga një model në të cilin reagonte ndaj problemeve, në një model që krijon kushte që ato probleme të mos përsëriten, nga një politikë zgjidhjesh ad hoc në një politikë ndryshimesh sistemike. Maqedonia po ecën përpara me një vendosmëri të qartë - jo për të menaxhuar pasojat, por për të zgjidhur shkaqet.", - theksoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
Ai shtoi se rezultatet e periudhës së kaluar përfaqësojnë një bazë të fortë për komuna stabile dhe financiarisht të qëndrueshme dhe shërbime më cilësore për qytetarët në të gjithë vendin.
VLORA LATIFI TOPOJANI
