Maqedoni

Minçev: Administrata profesionale, shtyllë e reformave

23.06.2026 14:41

Nën moton "Besimi, integriteti dhe rezultatet, themelet e një administrate publike moderne dhe evropiane" u shënua Dita e administratës publike...

Ndërtimi i një administrate profesionale, efikase dhe transparente, është një nga shtyllat kryesore të reformave dhe procesit të integrimit evropian. Kjo u theksua në shënimin e Ditës së administratës publike nën moton "Besimi, integriteti dhe rezultatet, themelet e një administrate publike moderne dhe evropiane". Me këtë rast përfaqësuesit e Qeverisë vlerësuan se tashmë janë shënuar rezultate konkrete në modernizimin e administratës, ndërsa theksuan se synimi mbetet ofrimi i shërbimeve më cilësore, më të shpejta dhe më të qasshme për qytetarët dhe bizneset.
 
"Sot nuk flasim më vetëm për vizionin, por mund të flasim edhe për rezultatet. Ndoshta më e rëndësishmja është se sot po e përcaktojmë gjithnjë e më qartë qëndrimin tonë se reforma e administratës publike nuk është vetëm një detyrim reformues në rrugën tonë drejt BE-së, por edhe një investim në institucionet dhe njerëzit. Nga një administratë publike që për vite me radhë është përballur me sfida, mungesë motivimi dhe probleme të grumbulluara, ngadalë, por me siguri po ndërtojmë një administratë moderne, efikase dhe profesionale.", - deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
 
Andonovski: Cilësia nënkupton shërbim të qasshëm lehtësisht
 
"Për ne në Ministrinë e Transformimit Digjital, cilësia nuk nënkupton vetëm mirësjellje në sportel apo një përgjigje të shpejtë. Cilësia do të thotë që qytetari të marrë informacion të saktë, të mos dërgohet nga një derë në tjetrën apo nga një sportel në tjetrin dhe të mos detyrohet të sjellë dokumente që shteti tashmë i posedon. Do të thotë gjithashtu të ketë një procedurë të qartë, afat të parashikueshëm dhe një shërbim që është lehtësisht i qasshëm dhe i kuptueshëm.", - theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
 
Mickoski: Jemi të fokusuar në modernizimin e administratës
 
Reformat në administratën publike janë më së të nevojshme tha kryeministri Hristijan Mickoski. Ai pranoi se administrata publike përballet me pakënaqësi, kritika dhe probleme të trashëguara ndër vite, por theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për reforma rrënjësore, me synim krijimin e një administrate moderne, efikase dhe efektive, në shërbim të qytetarëve.
 
"Reformat në administratën publike nuk janë çështje e zgjedhjes politike, por janë domosdoshmëri. Nuk mund të flasim për një ekonomi moderne nëse kemi procedura administrative të vjetruara. Nuk mund të flasim për një shtet konkurrues nëse investitorët përballen me pengesa administrative. Nuk mund të flasim për besim në institucione nëse qytetarët ndiejnë se sistemi nuk u përgjigjet nevojave të tyre. Prandaj Qeveria mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj procesit të modernizimit të administratës publike, digjitalizimit të shërbimeve, uljes së procedurave burokratike dhe krijimit të institucioneve që do të jenë më afër qytetarëve.", - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Hudolin: RMV-ja në nivel mesatar me reformat në administratë
 
Në ndërkohë shefi i Delegacionit të BE-së në vend, Stefen Hudolin, tha se sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian, RMV-ja vazhdon të mbetet në një nivel mesatar të përgatitjes për reformat në administratën publike. Ai vlerësoi se është shënuar progres, veçanërisht në procesin e digjitalizimit, por theksoi se reforma e përgjithshme dhe kuadri ligjor ende nuk janë të harmonizuara plotësisht. Sipas tij, përparimi i mëtejshëm varet nga zbatimi i nismave ligjore të paralajmëruara.
 
"Në raportin e fundit kemi theksuar se Maqedonia e Veriut mbetet në një nivel mesatar të përgatitjes për reformat në administratën publike dhe vërejmë se është shënuar njëfarë përparimi, veçanërisht në fushën e digjitalizimit. Pikërisht aty është i dukshëm progresi. Megjithatë reforma e përgjithshme dhe kuadri rregullator vazhdojnë të jenë të fragmentuara. Ministri përmendi disa nisma ligjore që duhet të zbatohen.”, - theksoi shefi i Bashkëpunimit, Delegacioni i BE-së në RMV, Stefen Hudolin.
 
Reformat nuk mund të zbatohen vetëm me ligje dhe strategji të reja. Reformat i bëjnë njerëzit, ku ato varen nga çdo nëpunës që vendos të jetë pjesë e ndryshimeve, varen nga çdo drejtues që zgjedh që rezultatet të jenë më të rëndësishme se formalitetet, si dhe nga secili që përqafon kulturën e llogaridhënies, përgjegjësisë dhe profesionalizmit, u tha me këtë rast. 
 
REXHEP QAMILI