Janevska: Në afatin e dytë pritet regjistrimi i 2.000 nxënësve

23.06.2026 15:58

Në shkollat e mesme të vendit po realizohet afati i dytë i regjistrimit...

Në shkollat e mesme të vendit po realizohet afati i dytë i regjistrimit, në të cilin ministrja e Arsimit pret që të regjistrohen rreth 2.000 nxënës.
 
“Në afatin e parë janë regjistruar 14 mijë e 500 nxënës, sot në afatin e dytë të regjistrimit presim të regjistrohen edhe 2.000 nxënës, me çka do të plotësohej pothuajse tërë numri që e presim, nga semimaturantët për t’u regjistruar në shkollat e mesme.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Janevska: Më 1 shtator të gjithë nxënësit do të kenë libra
 
Janevska njëherësh theksoi se të gjithë nxënësit më 1 shtator do të kenë tekste shkollore. Sipas saj, për të tretin vit radhazi, Qeveria dhe Ministria e Arsimit sigurojnë furnizimin dhe shpërndarjen në kohë të teksteve shkollore për të gjithë nxënësit. 
 
“Nga klasa e parë deri në të tretën janë porositur rreth 250 mijë libra, ndërsa në tërësi do të porositen një milion e gjysmë. Ajo që duhet të theksojmë është se është rinovuar tërë fondi i librave nga klasa e parë deri në klasën e tetë dhe viti i parë dhe i dytë i gjimnazit. Mbetet të përpilohen tekstet shkollore për klasën e nëntë dhe për vitin e tretë të arsimit të mesëm, sepse hap pas hapi hartohen programe të reja mësimore dhe tekste të reja shkollore.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Të gjitha tekstet shkollore të shtypura janë të disponueshme edhe në platformën elektronike.
 
GYLTENE SINANI