VLEN përsërit akuzat ndaj Ejup Rustemit

23.06.2026 16:01

Partia shqiptare në pushtet VLEN ka përsëritur akuzat ndaj BDI-së dhe Ejup Rustemit...

Partia shqiptare në pushtet VLEN ka përsëritur akuzat ndaj BDI-së dhe ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, për presin ndaj një kompanie evropiane në interes të një kompanie serbe. 

“U bënë katër ditë nga dalja në shesh e pretendimeve lidhur me biznesin e gardheve mbrojtëse, ndërsa opinioni nuk mori përgjigje të saktë për atë që vërtet ka peshë. Me vite BDI na shiti përralla për Evropën. Tani po dëgjojmë se një kompani evropiane është lënë anash, ndërsa rruga i është hapur për një kompani nga Serbia. Kjo nuk është punë e vogël. Nuk po flasim vetëm për kompani e kontrata, por po flasim për biznes milionësh. Për para të qytetarëve, interesa nga jashtë dhe gardhe mbrojtëse që duhet të ruajnë jetë njerëzish. Në përgjigjen e tij, Ejup Rustemi mundohet ta zhvendosë debatin te ajo nëse Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore ka shpallur apo jo tender. Por, këtu nuk është thelbi. Thelbi është krejtësisht tjetër. A ka ushtruar presion ndaj kompanisë evropiane dhe a i është hapur rrugë kompanisë serbe? A janë orientuar kompanitë se ku t’i blejnë gardhet? Këtyre pyetjeve, Rustemi nuk u përgjigjet. Nëse të gjitha informacionet e publikuara janë të pavërteta, pse Rustemi nuk reagoi në momentin kur u publikua artikulli, por reagoi vetëm pasi VLEN-i kërkoi veprime nga Prokuroria e Islam Abazit?”, - u shpreh Daut Memishi nga VLEN.
 
Rustemi: Akuzat e VLEN-it tërësisht të pavërteta
 
Ish-drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, një ditë më parë i ka hedhur poshtë akuzat e VLEN-it.
 
“Pretendimet e paraqitura janë tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë fakt apo dokument zyrtar.”, thuhet mes tjerash në reagimin e Rustemit.
 
BDI: Akuza ndaj VLEN-it për qeverisjen dyvjeçare
 
Ndërsa BDI ka akuzuar VLEN-in se gjatë dy viteve që nga formimi i Qeverisë, siç thuhet, pa legjitimitet etnik te shqiptarët, kjo Qeveri ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë pasoja të rënda në dëm të karakterit multietnik të shtetit, të pozitës së shqiptarëve dhe të vet frymës së Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. Pas dy vitesh qeverisje pa legjitimitet etnik, bilanci është i qartë: shqiptarët janë më të margjinalizuar, Marrëveshja e Ohrit është më e rrezikuar, ndërsa shumë prej të arriturave të ndërtuara me mund gjatë 24 viteve të fundit po zhbëhen njëra pas tjetrës, thonë nga BDI.
 
Nga kjo parti theksojnë se përmes vendimeve të ministrit Minçev, përqindja e shqiptarëve u zvogëlua nga 29.5% në 24.3%, ndërsa VLEN-i heshti përballë këtij akti. Po ashtu, ndalimi i përdorimit të flamurit shqiptar nga përfaqësues të shqiptarëve nuk hasi në asnjë reagim serioz nga ata që pretendojnë se mbrojnë interesat shqiptare. Një nga koncesionet më të rënda të VLEN-it ishte dorëzimi i çështjeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit në duart e partnerëve të tyre qeveritarë, përfshirë edhe Ivan Stoilkoviqin, politikanin pro-rus dhe pro-serb, i cili sot jep tone për çështje që prekin drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve, theksojnë nga BDI.