Ligji për përfaqësim të drejtë, të propozuara 31 amendamente
23.06.2026 16:03
Në Komisionin për marrëdhënie mes bashkësive vazhdoi shqyrtimi i propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat....

Në Komisionin për marrëdhënie mes bashkësive vazhdoi shqyrtimi i propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Për ligjin janë dorëzuar gjithsej 31 amendamente, ndërsa gjatë seancës u shqyrtuan dy amendamentet e para, të cilat nuk morën mbështetjen e Qeverisë dhe shumicës parlamentare.
“Amendamenti nuk pranohet.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Bekim Sali.
Debati u karakterizua me përplasje të forta politike, veçanërisht mes opozitës shqiptare dhe përfaqësuesve të koalicionit qeveritar VLEN. Opozita kërkoi që në tekstin e ligjit të përfshihen qartë detyrimet që burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Amendamenti VI i Kushtetutës, i miratuar në vitin 2001, i cili garanton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjithë qytetarëve.
“Sinqerisht po çuditem se si zëvendëskryeministri me aq lehtësi thotë vetëm amendamenti nuk pranohet dhe dhënë kurrfarë sqarimi pa thënë pse dhe pa kurrfarë arsyetimi. Jeni mësuar t'i kaloni gjërat kështu. Pra, problemi sot nuk është vetëm ky ligj, por janë të gjitha gjërat të cilat i keni bërë këto dy vite me radhë. Problemi më i madh është roli të cilin e keni zgjedhur ta luani erdhët para shqiptarëve duke premtuar se do të ishit zëri i tyre Qeveri, sot për fat të keq po silleni si zëri i Qeverisë para shqiptarëve.”, - deklaroi Dijana Toska nga BDI.
“Ligj pa kuotën etnike as nuk duhet të diskutohet, as nuk duhet ta diskutoni këtë çështje prej momentin kur dolët dhe e helmuat opinionin. Unë ju them mos e votoni këtë ligj, sepse keni votuar kundër interesave të fëmijëve tuaj, kundër interesave të popullit tuaj.”, - theksoi Zijadin Sela nga Lidhja Shqiptare.
“Ne me këtë amendament parashohim që ky ligj të inkorporojë thelbin e nevojshëm të marrëveshjes kornizë të Ohrit, e cila është një marrëveshje që në atë kohë u sjell si rezultat i pajtimit mes dy komuniteteve të cilat kishim një konflikt të vitit 2001.”, - u shpreh Rijad Shaqiri nga Aleanca për Shqiptarët.
“Komisioni i Venecias shprehimisht thotë se shumë përkufizime të termave mungojnë në ligj dhe shkelet parimi themelor i Kushtetutës, "sundimi i ligjit".”, - deklaroi Sali Murat.
Nga VLEN-i kundërshtuan këto akuza, duke theksuar se për herë të parë në vend po vendosen themelet e një ligji që rregullon në mënyrë sistematike përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Deputetja Imërlije Saliu tha se amendamentet e opozitës nuk synojnë përmirësimin e ligjit, por krijimin e mundësive për bllokimin e tij.
“Fatkeqësisht mund të them se të gjitha amendamentet, të cilat i keni propozuar, nuk i keni propozuar për të gjetur zgjidhje ose për të ofruar diçka më të mirë për ligjin, por vetëm e keni përpiluar në mënyrë të atillë që pastaj i njëjti ligj të mund të bllokohet, sepse ky është qëllimi juaj dhe për këtë arsye duhet të jetë mirë i informuar opinioni.”, - theksoi deputetja e VLEN-it, Imërlije Saliu.
Në debat u përfshi edhe opozita maqedonase. U kërkua që ligji të garantojë barazi efektive dhe jo vetëm formale, duke vlerësuar se në tekst mungojnë përkufizime të rëndësishme si nën-përfaqësimi, pengesat strukturore dhe pjesëmarrja reale në vendimmarrje.
“Në propozim-ligjin definohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, por nuk përcaktohet përmbajtja e barazisë efektive, nënpërfaqësimi, pengesat strukturore dhe pjesëmarrja reale. Pa këto parime institucioni mundet formalisht të ketë përbërje të larmishme, ndërsa sërish pjesëtarët e bashkësive të caktuara të mbeten në pozita më të ulëta të punës apo pa ndikim mbi vendimet.”, - u shpreh Monika Zajkova nga Partia Liberal Demokrate.
“Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk ishte marrëveshje për larmishmëri deklarative, por marrëveshje për shtet të përbashkët për besim dhe pjesëmarrje. Qëllimi i tij nuk është të numërojmë njerëz, por të krijojmë institucione në të cilat askush nuk do të ndjehet si mysafir në shtetin e vet.”, - deklaroi Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Sipas propozuesit, ligji synon të vendosë një kornizë të qartë juridike për zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë në organet shtetërore dhe institucionet publike. Qëllimi është krijimi i procedurave transparente për punësim dhe avancim, si dhe sigurimi i qasjes së barabartë në vendet e punës në sektorin publik. Shqyrtimi i amendamenteve pritet të vazhdojë edhe në seancat e ardhshme, ku do të debatohet për pjesën tjetër të 31 amendamenteve të paraqitura për këtë ligj.
FLORIJE KAMBERI
