Maqedoni
Rustemi: Akuzat e VLEN-it tërësisht të pavërteta
23.06.2026 16:06
BDI ka akuzuar se kjo Qeveri ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë pasoja të rënda në dëm të karakterit multietnik të shtetit...

Ish-drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, një ditë më parë i ka hedhur poshtë akuzat e VLEN-it.
“Pretendimet e paraqitura janë tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë fakt apo dokument zyrtar.”, thuhet mes tjerash në reagimin e Rustemit.
BDI: Akuza ndaj VLEN-it për qeverisjen dyvjeçare
Ndërsa BDI ka akuzuar VLEN-in se gjatë dy viteve që nga formimi i Qeverisë, siç thuhet, pa legjitimitet etnik te shqiptarët, kjo Qeveri ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë pasoja të rënda në dëm të karakterit multietnik të shtetit, të pozitës së shqiptarëve dhe të vet frymës së Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. Pas dy vitesh qeverisje pa legjitimitet etnik, bilanci është i qartë: shqiptarët janë më të margjinalizuar, Marrëveshja e Ohrit është më e rrezikuar, ndërsa shumë prej të arriturave të ndërtuara me mund gjatë 24 viteve të fundit po zhbëhen njëra pas tjetrës, thonë nga BDI.
Nga kjo parti theksojnë se përmes vendimeve të ministrit Minçev, përqindja e shqiptarëve u zvogëlua nga 29.5% në 24.3%, ndërsa VLEN-i heshti përballë këtij akti. Po ashtu, ndalimi i përdorimit të flamurit shqiptar nga përfaqësues të shqiptarëve nuk hasi në asnjë reagim serioz nga ata që pretendojnë se mbrojnë interesat shqiptare. Një nga koncesionet më të rënda të VLEN-it ishte dorëzimi i çështjeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit në duart e partnerëve të tyre qeveritarë, përfshirë edhe Ivan Stoilkoviqin, politikanin pro-rus dhe pro-serb, i cili sot jep tone për çështje që prekin drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve, theksojnë nga BDI.
